Disa burime ruse të mërkurën reaguan me kujdes ndaj një propozimi të Shteteve të Bashkuara për 30 ditë armëpushim, i cili është mbështetur nga Ukraina, duke thënë se çfarëdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës do të duhej t’i merrte parasysh avancimet e forcave ruse dhe do të duhej t’i adresonte shqetësimet e Moskës.
Shtetet e Bashkuara u pajtuan të martën që t’i rifillonin ndihmat ushtarake dhe ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën, pasi Kievi tha se është i gatshëm për ta mbështetur propozimin për armëpushim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një burim i lartë rus i tha kësaj agjencie se presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, do t’i vinte vështirë që të pajtohej me idenë për armëpushim pa i diskutuar kushtet dhe pa marrë njëfarë garancie.
“Është vështirë për Putinin që të pajtohet me këtë (propozim) në formën e tij të tanishme” – tha burimi rus, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës. “Putini ka një pozitë të fuqishme, sepse Rusia është duke avancuar” – shtoi ai.
Burimi tha se pa garanci krahas një armëpushimi, pozicioni i Rusisë do të mund të bëhej shpejt më i dobët dhe se Rusia pastaj do të mund të fajësohej nga Perëndimi se po dështon t’i japë fund luftës.
Një burim tjetër rus tha se, nga perspektiva e Moskës, propozimi për armëpushim duket si kurth, sepse Putinit do t’i vinte vështirë ta ndalte luftën pa disa garanci ose zotime konkrete.
Një burim i tretë rus tha se tabloja e gjerë është se Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për t’i rifilluar ndihmat ushtarake dhe ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën dhe e kanë zbukuruar këtë veprim me një propozim për armëpushim.
Në dhjetor, Putini kishte thënë: “Ne s’kemi nevojë për armëpushim, kemi nevojë për një paqe afatgjate të siguruar me garanci për Federatën Ruse dhe qytetarët e saj. Është pyetje e vështirë se si të sigurohen këto garanci”.