Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adrian Kastrati, ka bërë thirrje për dorëheqjen e kryetarit të partisë, Memli Krasniqi, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Në një postim në Facebook, Kastrati ka kritikuar udhëheqjen e Krasniqit, duke e cilësuar atë si përgjegjës për humbjen e PDK-së dhe për një opozitë të dobët kundër qeverisë Kurti.
Sipas Kastratit, në vend që të bënte opozitë aktive në Kuvend, Krasniqi ka zgjedhur të mungojë në shumicën e seancave dhe të shpenzojë dhjetëra mijëra euro për reklama në Facebook. Ai e ka krahasuar këtë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili nuk ka shpenzuar asnjë cent për reklama të tilla, por megjithatë ka arritur të marrë mbi 330 mijë vota në zgjedhje.
“PDK mundet më mirë!” – ka theksuar Kastrati, duke kërkuar që Krasniqi të japë dorëheqje menjëherë pas formimit të qeverisë së opozitës dhe t’i hapë rrugë reformave në parti.