Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Ballina

    Trump para Kongresit: Zelensky është gati për të nënshkruar marrëveshjen e mineraleve “në çdo kohë”

    05/03/2025 08:00
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka informuar se është gati për bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij dhe është ofruar për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e Ukrainës “në çdo kohë”.

    Gjatë fjalimit para Kongresit amerikan, më 4 mars, Trump tha se ka marrë një letër nga Zelensky, në të cilën udhëheqësi ukrainas ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

    “Sot, më herët, kam marrë një letër të rëndësishme nga presidenti Zelensky i Ukrainës. Letra thotë: ‘Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur, për ta sjellë paqen e qëndrueshme më afër. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit’”, tha Trump duke cituar letrën.

    Ai tha se 2.000 njerëz vriten çdo javë në luftë – të rinj rusë dhe të rinj ukrainas.

    “Dua që kjo të ndalet”, tha Trump, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar “ndoshta 350 miliardë dollarë” në ndihma për Ukrainën, ndërsa Evropa ka shpenzuar vetëm 100 miliardë dollarë.

    Bashkimi Evropian i ka kundërshtuar karakterizimet e tilla, duke thënë se vendet e tij anëtare, që nuk e përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar, kanë ofruar rreth 145 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën.

    Trump nuk e përmendi grindjen e tij publike me Zelenskyn, javën e kaluar në Zyrën Ovale. “Ne po shkojmë shumë mirë me ta dhe shumë gjëra po ndodhin”, tha presidenti amerikan.

    Trump mbajti fjalimin një ditë pasi njoftoi se ka pezulluar gjithë mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, e cila, tash e tre vjet, lufton kundër forcave pushtuese ruse.

    Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë më 28 shkurt pa nënshkruar marrëveshjen për mineralet, siç ishte e planifikuar.

    Gjatë një konference për gazetarë më 3 mars, Trump tha se nuk mendon se marrëveshja ka vdekur.

    Trump e ka bërë prioritet përfundimin e luftës në Ukrainë. Ai i është drejtuar drejtpërdrejt presidentit rus, Vladimir Putin, të cilin paraardhësi i tij, Joe Biden, e ka izoluar politikisht, prej se ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të fqinjit, në shkurt të vitit 2022.

    Daniel Vajdich, president i Yorktown Solutions – kompani që lobon në emër të Kievit – thotë se marrëveshja për mineralet do të ishte e mirë si për Ukrainën, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara.

    “Ajo i jep SHBA-së kapital në Ukrainë që duhet mbrojtur”, thotë Vajdich.

    Fondi i krijuar nga marrëveshja, do të ishte një mekanizëm i rëndësishëm për ta detyruar sektorin privat të SHBA-së që të investonte në rindërtimin e Ukrainës, shton Vajdich, ish-këshilltar i disa kandidatëve republikanë presidencialë.

    Trump e promovoi marrëveshjen si mënyrë për të rikuperuar miliarda dollarët që SHBA-ja ka ndarë për Ukrainën që nga fillimi i luftës dhe për të justifikuar vazhdimin e ndihmave.

    Trump e kritikoi Evropën për blerjen e naftës dhe gazit rus dhe paraardhësin e tij, presidentin Joe Biden, për autorizimin e ndihmave për Ukrainën, më shumë se Evropa.

    Fjalimi ishte i pari i Trumpit në një sesion të përbashkët të Kongresit prej se mori detyrën, më pak se 50 ditë më parë.

    Ai e filloi atë duke thënë se “Amerika është kthyer” dhe duke lavdëruar politikat e tij për imigracionin e krimin, si dhe përpjekjet e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), të udhëhequr nga miliarderi Elon Musk, për të ulur shpenzimet e qeverisë.

    Trump e vlerësoi Muskun për, siç tha, identifikimin e “qindra miliarda dollarëve në mashtrime” – një pretendim ky që e tejkalon shumë atë që administrata e tij ka pretenduar deri më tani.

    Që nga inaugurimi më 20 janar, Trump ka ndjekur një strategji “tronditjeje dhe frikësimi”, duke bërë ndryshime drastike në politikën e brendshme dhe të jashtme dhe duke përdorur shpesh urdhra ekzekutivë për të anashkaluar Kongresin.

    Ai tha se që nga inaugurimi i tij, “nuk ka pasur gjë tjetër veçse veprime të shpejta dhe të pandërprera për të nisur epokën më të madhe dhe më të suksesshme në historinë e vendit tonë”.

    Një nga veprimet e tij më të diskutueshme ishin tarifat 25 për qind, të vendosura mbi mallrat nga Kanadaja dhe Meksika – dy prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara.

    Tarifat hynë në fuqi më 4 mars, duke shkaktuar rënien më të madhe të aksioneve të SHBA-së në më shumë se dy muaj.

    “Qëllim i tarifave është ta bëjnë Amerikën përsëri të pasur dhe ta bëjnë Amerikën përsëri madhështore. Dhe, kjo po ndodh dhe do të ndodhë mjaft shpejt”, tha Trump.

    Ryan Sweet, ekonomist në Institutin Oxford Economics, thotë se tarifat do të çojnë në rritje më të ngadalshme ekonomike në SHBA, papunësi më të lartë dhe inflacion më të lartë.

    “Ekonomia ka pasur tashmë një fillim të dobët këtë vit, për shkak të një janari jashtëzakonisht të ftohtë, zjarreve në Llos Anxhelos dhe rritjes së pasigurisë në politikë. Tarifat ka të ngjarë të nxisin shqetësime se fillimi i dobët i vitit, mund të shndërrohet në diçka më të keqe”, thotë Sweet.

    Artikuj të ngjashëm

    Papa Leoni XIV, thirrje për solidaritet mes popujve, kritikon nacionalizmin

    Fillon sot ‘Java e Krenarisë’ në Prishtinë

    Mocioni për rrëzimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të dorëzohet më 12 qershor

    Të Fundit

    Papa Leoni XIV, thirrje për solidaritet mes popujve, kritikon nacionalizmin

    Fillon sot ‘Java e Krenarisë’ në Prishtinë

    Mocioni për rrëzimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të dorëzohet më 12 qershor

    Një emigrant mysliman mund të bëhet kryetar i New Yorkut

    26 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.