Djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr, është akuzuar në Itali për gjueti të paligjshme të një shpendi të mbrojtur.
Politikani i Partisë së Gjelbër, Andrea Zanoni, ka denoncuar në polici se Trump Jr ka vrarë një rosë të rrallë gjatë një udhëtimi gjuetie në lagunën e Venecias në dhjetor, transmeton klankosova.tv.
Rosa e kuqe është një specie e mbrojtur në Evropë, dhe gjuetia e saj ndalohet me ligj. Sipas ekspertëve, ky është një shpend që ndodhet në rrezik zhdukjeje, dhe ligjet italiane e ndalojnë vrasjen e tij.
Zanoni ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve, duke theksuar se ligjet evropiane dhe ato italiane ndalojnë këtë veprim. Ai ka shtuar se përveç shkeljes së ligjit për mbrojtjen e kafshëve, Trump Jr ka gjuajtur në Itali pa leje, pasi vetëm banorët italianë mund të pajisen me licencë zyrtare për gjueti.
Italia nuk është pronë e SHBA-së,” ka deklaruar Zanoni, duke bërë thirrje për ndëshkimin e kësaj shkeljeje.
Siç shkruan skynews, sipas ligjeve italiane, gjuetia e një shpendi të mbrojtur mund të çojë në ndjekje penale dhe gjoba të larta. Aktualisht, autoritetet janë në fazën e hetimeve, dhe pritet të merren masa ligjore ndaj Trump Jr.