Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Shumë gra vendosin t’i ndajnë rrugët me burrat abuzivë, por as në këtë formë nuk arrijnë të shpëtojnë nga problemet.
Sinjali mëson se në hall me ish bashkëshortin e saj është edhe një grua nga Prizreni, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë gjatë ditës së djeshme.
Bazuar në informacionet e para, ish burri i saj i ka shkuar te puna dhe pas një përplasje verbale me të, e ka sulmuar fizikisht – duke i shkaktuar lëndime trupore.
Përballë kësaj situate, viktima e ka raportuar rastin dhe si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndalimin e të dyshuarit.