Përdorimi i armëve ilegale nga të rinjtë është një dukuri mjaft shqetësuese në vendin tonë dhe të tilla raste zbulohen pothuajse çdo ditë nga Policia e Kosovës. Plot herë ka ndodhur që të raportohen raste edhe të vetëplagosjeve si pasojë e manovrimit me armë të ndryshme.
Kështu dyshohet se ndodhi së fundmi në parkingun nëntokësor, te sheshi “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Sinjali mëson se fatmirësisht këtë herë nuk pati të lënduar, por fakti më shqetësues është që personat që manovruan me armë zjarri janë të moshës së mitur, të cilëve iu shkrepi arma aksidentalisht.
Policia ka arritur të sigurojë informacionet lidhur me rastin, ndërsa në vendin e ngjarjes është konfiskuar një gëzhojë.
Lidhur me rastin, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe është vënë në dijeni Prokurori i Shtetit.
Me vendim të tij, është hapur rasti për përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje.