Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së në zgjedhjet parlamentare, Ramush Haradinaj ka reaguar pas sulmeve ndaj mediave në Kosovë në fushatë zgjedhore.
Ai kritikën më të ashpër e pati për subjektin politik Lëvizjen Vetëvendosje, duke treguar shqetësim për gjendjen e krijuar kundrejt mediave, teksa tha se ushtrimi i profesionit të gazetarisë duhet të jetë i lirë dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
“Ushtrimi i profesionit tuaj duhet të jetë i lirë dhe, natyrisht, ju i caktoni politikat dhe rregullat sipas standardeve profesionale. Askush s’ka të drejtë të linçojë, të pengojë, të akuzojë, apo edhe të ushtrojë presion ndaj gazetarëve në punën e tyre.
Si Kryeministër jam munduar gjithmonë të jem transparent dhe i përgjegjshëm në punën time. Natyrisht, jam përballur shpeshherë edhe me pyetje të forta, hulumtime e materiale tjera, por thellësisht kam qenë dhe jam i bindur se liria për median ka rëndësi për vendin. Kosova është vend i lirë dhe me liri të shprehjes. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe nuk kemi nevojë për diktator që na tregon cila është e drejta. Unë besoj në punën tuaj profesionale. Dhe, pa dyshim, opinioni duhet ta gjykojë i lirë punën tuaj. Punë të mbarë!”, përfundoi Haradinaj.