Dy asambleistë të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në Prishtinë kanë qëndruar sot në sallën e Kuvendit Komunal gjatë votimit të buxhetit për vitin 2025, një veprim që nuk është mirëpritur nga shefi i tyre, Gëzim Sveçla.
Ai, madje, e ka demoluar mikrofonin në shenjë proteste.
Pas këtij incidenti, Sveçla u pyet nga gazetarët për veprimin e asambleistëve të tij dhe konfirmoi se kishte pasur një tentativë për kontrabandim të numrave.
Ai tha se kjo nuk ishte hera e parë që ndodhte një situatë e tillë.
“Sepse kjo nuk është diçka që po ndodhë për herë të parë, plani zhvillimorë komunal është që 1 vjet duke u trajtuar në kuvend ata nuk i kanë pasë numrat asnjëherë, mirëpo me kontrabandim siç ka ndodhur edhe në të kaluarën e sic kishte tendecë të ndodhte edhe sot, janë mundur që të kalojnë plane dhe programe të tilla”, tha ai.
Insajderi ka mësuar se dy asambleistë që qëndruan në sallë duke ia bërë kuorumin pushtetit, ishin Berat Lahu dhe Edmond Azemi.
Ai vazhdoi me kritika ndaj qeverisjes së kryetarit Përparim Rama, duke theksuar se asambleistët e VV-së nuk kanë marrë pjesë në sallë për shkak të mungesës së konsultimeve lidhur me buxhetin dhe planin zhvillimor komunal.
Në fund të konferencës, ai madje u bërë thirrje gjithë asambleistëve të mos bien sipas tij pre e joshjeve e pazareve.
“Nga këtu, ju bëj thirrje të gjithë asambleistëve që të mos bien pre e joshjeve të ndryshme, pazareve të ndryshme, për ta dëmtuar të ardhmen e qytetit. Ne jemi thuajse në fund të këtij mandatit, dhe pas 10 muajsh do të përfundojë. Le të mbahemi mend si ata që dolën në mbrojtje të kryeqytetit dhe jo si ata që, për interesa personale, e shituan të ardhmen e fëmijëve të vet, nëse ata mendojnë të jetojnë në këtë qytet.”
Për veprimin vandal të tij sot, Gëzim Sveçla është ftuar për intervistim nga Policia e Kosovës.