Një rast i vjedhjes është raportuar pasditen e djeshme në Gurrakoc të Istogut.
Policia është lajmëruar se në një shtëpi, disa persona kanë depërtuar me forcë dhe nga aty kanë marra para të gatshme dhe stoli ari.
Shtëpia në fjalë është e kryetarit të Komunës së Istogut, Ilir Ferati.
Ferati ka qenë pre e grabitjes nga disa të panjohur, të cilët i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe vet Ferati.
POSTIMI:
Të nderuar qytetarë,
Dua t’ju informoj se mbrëmë, shtëpia ime në Gurrakoc u bë cak i një akti të papranueshëm vjedhjeje. Persona të papërgjegjshëm kanë depërtuar me forcë, duke shkaktuar dëmtime materiale dhe duke vjedhur edhe një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sime familjare, me vlerë të madhe shpirtërore dhe historike për mua dhe familjen time.
Ky veprim i papranueshëm ka shkaktuar jo vetëm dëm ekonomik, por ka tronditur thellësisht ndjenjën e sigurisë së familjes sime dhe timen, si qytetar dhe si Kryetar Komune. Humbja e trashëgimisë familjare e bënë këtë ngjarje edhe më të dhimbshme, pasi përfaqëson një pjesë të historisë dhe identitetit tim personal.
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar në hetimin e këtij rasti. Njëkohësisht, i bëj thirrje organeve të drejtësisë dhe institucioneve përgjegjëse që të angazhohen me përkushtim për zbardhjen e plotë të rastit dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të këtij akti të dënueshëm.
Siguria dhe mbrojtja e pronës janë të drejta themelore që duhen garantuar për të gjithë qytetarët pa përjashtim.
Ju falënderoj për mbështetjen dhe solidaritetin tuaj në këto momente të vështira.
I juaji,
Iliri