Mëngjesin e së enjtes është raportuar se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë arrestuar ish-kryetarin e komunës së Malishevës, Isni Kilaj, shkruan GazetaDemos.
Demos merr vesh që i njëjti u arrestua për shkak që dyshohet se nuk i respektoi kushtet që Gjykata Speciale ia kishte vendosur pas lirimit me kusht në maj të këtij viti.
Ani pse të njëjtit, iu tërhek vërejtja disa herë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Kilaj u arrestua në nëntor të vitit 2023, dhe qëndori gati gjashtë muaj në qendrën e paraburgimit në Hagë. Prokuroria e Specializuar tha se ai dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave.
Pavarësisht se ai është liruar me kusht, Dhomat e Specializuara thanë se në vendimin për rishikimin e paraburgimit ndaj Kilajt, gjykata ka konstatuar se “ende ekziston dyshimi i bazuar që Kilaj ka kryer vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”.
Gjykata tha se pavarësisht vendimit për lirim, ka ende rrezik “të moderuar” që Kilaj të arratiset dhe të pengojë ecurinë e proceduraleve penale, si dhe “të kryejë vepra të tjera penale”.
Po ashtu, ndër arsyet e vendimit për lirimin e Kilajt u përmend edhe vendimi i Prokurorisë së Specializuar që synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar ndaj tij dhe kjo mund të marrë kohë.
Në njoftimin e Dhomave të Specializuara, u theksua se Kilaj mund të dënohet deri me pesë vjet burgim për veprat për të cilat dyshohet.
Kilaj kishte drejtuar komunën e Malishevës në dy mandate, nga 2007 deri më 2009 dhe nga 2009 deri më 2013.
Deri më tani, Specialja ka shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht.
Ndërkaq, aktualisht pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar dy raste gjyqësore, ai ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Rasti i dytë ka të bëjë me akuzat për krime lufte ndaj Pjetër Shalës.