Analisti Visar Ymeri ka theksuar se sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës reflektojnë një situatë të rënduar për vendin në arenën ndërkombëtare.
“Kosova është nën sanksione, kjo nënkupton që imazhi për Kosovën nuk është i mirë”, u shpreh Ymeri, duke nënvizuar se ky është një tregues shqetësues për pozicionin e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Ai gjithashtu vuri në pah një valë kritikash të ashpra nga ShBA-ja dhe vendet anëtare të BE-së, të cilat, sipas tij, janë të paprecedenta dhe lidhen drejtpërdrejt me politikat e ndjekura nga Qeveria Kurti.
Më tej, Ymeri ngriti alarmin mbi përkeqësimin e situatës me korrupsionin qeveritar. Duke iu referuar raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit, ai tha se këto raporte çdo vit evidentojnë një rritje të korrupsionit, ndërsa paralajmërojnë për kufizime në lirinë e shprehjes.
“Në raportin e DASH-it theksohet për çdo vit që ka rritje të korrupsionit qeveritar, edhe që ka cungim të lirisë së shprehjes, të gjitha raportet e thonë që në Kosovë po vështirësohet puna e gazetarëve për shkak të sjelljes qeveritare, prej linçimit publik”, deklaroi ai.