Sulmi i mbrëmshëm në kanalin ujor të Ibër – Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut ka shkaktuar shumë reagime. Përveç pushtetit e opozitës kosovare, sulmin ndaj kanalit ujor e kanë dënuar ashpër edhe ndërkombëtarët, përfshirë ShBA-në e BE-në. Natyrisht, nuk ka munguar as reagimi i Shqipërisë. Çfarë u tha?
Aleatja kryesore e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin jashtëzakonisht të qartë në reagimin e tyre, duke e dënuar fuqishëm sulmin.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës” – ka thënë ai.
Edhe Bashkimi Evropian, përmes zyrës së saj në Prishtinë, e dënoi sulmin. Në një shkrim në rrjetin social “X”, Aivo Orav kërkoi që ngjarja të hetohet.
“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok dhe që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë” – shkroi mbrëmë Orav.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj bisedoi në telefon me presidenten kosovare, Vjosa Osmani, të cilës ia ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën. Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama e quajti sulmin “sabotues”, ndërsa kërkoi që BE-ja t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë” – ka shkruar Rama.
Edhe Italia reagoi për sulmin, duke e dënuar ashpër aktin që nga shumë njerëzu cilësua si terrorist.
“Italia dënon me vendosmëri sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok, i cili ka prekur furnizimin me ujë dhe ka rrezikuar shtëpitë vendase. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj hetimore për të kërkuar llogari nga përgjegjësit e këtij sulmi të neveritshëm” – thuhej në reagimin e Ambasadës së Italisë.
Ndërsa Turqia ka shprehur gatishmërinë për të ofruar çdo ndihmë ndaj Kosovës në zbardhjen e rastit.
“E dënojmë fuqishëm sulmin e djeshëm (29 nëntor) në një kanal ujor në Zubin Potok në veri të Kosovës, i cili është kritik për furnizimin me ujë dhe energji elektrike të Kosovës. Shpresojmë që autorët e sulmit të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur. Shfrytëzojmë këtë rast për të shprehur solidaritetin tonë me Kosovën dhe gatishmërinë tonë për të ofruar çdo ndihmë që mund të ketë nevojë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin në rajon” – thuhet në komunikatë.