Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA-ja e dënon fuqishëm shpërthimin që ndodhi në kanalin e ujit në Ibër Lepenc.
Në një reagim në platformën X, ai ka thënë se janë duke e monitoruar nga afër situatën dhe se e mbështesin një hetim të plotë dhe i kanë ofruar mbështetje Qeverisë së Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal të ujit në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin e Kosovës me ujë dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës”, ka pohuar Hovenier.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.
Ndër tjera, ai ka dënuar edhe sulmet me granata që ndodhën në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e Komunës së Zveçanit më 28 nëntor.
“Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shprehin solidaritetin me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale”, ka thënë Hovenier