Instituti për Avokimin e Politikave Korrektuese ka shprehur shqetësim ndaj rastit të dhunimit të një dënuari në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
IAPK-ja ka njoftuar se detyrimet ligjore dhe standardet ndërkombëtare gjerësisht të pranuara se mbrojtja dhe siguria, shëndeti dhe mirëqenia e përgjithshme e të dënuarve derisa janë të privuar nga liria është përgjegjësi e autoriteteve të shtetit-institucioneve korrektuese dhe në këtë rast, në mënyrë specifike e Qendrës Korrektuese në Dubravë.
Ky institut ka sjellë në vëmendje se në bazë të praktikës gjyqësore, tashmë ekziston një rast i ngjashëm në të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2023 ka bërë përgjegjës institucionet korrektuese për dështimin në sigurimin e mbrojtjes së të dënuarit nga të dënuarit e tjerë dhe i ka obliguar institucionet shtetërore (SHKK) që në emër të dëmit të shkaktuar palës paditëse (viktimës) t’i akordojë një shumë të caktuar të dëmshpërblimit.
“IAPK-ja thekson se ky është rasti i parë në praktikën e sistemit gjyqësor të Kosovës ku institucionet shtetërore gjenden fajtore për lëshimin ose mos veprimin sipas përgjegjësive ligjore të sigurisë në institucionet korrektuese. Pra, përmes këtij aktgjykimi, konfirmohet përgjegjësia shtetërore në raport me mbrojtjen dhe sigurinë e personave të dënuar, derisa janë të privuar nga liria dhe nën përkujdesjen institucionale”, thuhet në komunikatën për media nga IAPK-ja.
Në frymën e kësaj, IAPK-ja thekson disa hapa që institucionet shtetërore përgjegjëse duhet të ndërmarrin në parandalimin dhe luftimin e incidenteve të tilla apo të ngjashme:
-Ministria e Drejtësisë dhe SHKK-ja duhet të sigurojë se politikat e vendosjes së të dënuarve në bazë të kategorizimit të tyre të mbështetur në kritere thelbësore siç janë: rrezikshmëria, kohëzgjatja e dënimit, pesha e veprës penale, mosha e kryesit etj., zbatohen në mënyrë strikte dhe evitohen aq sa është e mundur incidentet apo pasojat e tilla.
-Po ashtu, SHKK-ja duhet të rrisë programet e rehabilitimit dhe reintegrimit të të dënuarve; të rivlerësojë politikat dhe praktikat e ofrimit të sigurisë së të dënuarve; si dhe të ngrit kapacitetet profesionale për të zhvilluar një qasje më proaktive në parandalimin e këtyre rasteve.