Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pas audio-incizimit të publikuar nga Paparaci, ku drejtori i RTK-së implikon direkt AKI-në në skandalin e lajmit të rrejshëm kundër dy mediave kosovare.
Ai thotë se së këtë situatë, vetëm denoncimi dhe kallëzimi penal nga AKI kundër Rilind Gërvallës dhe i personave të tjerë të përfshirë, paraqet veprimin minimal dhe të domosdoshëm për të dëshmuar mbrojte të imazhit dhe integritetit të saj institucional.
“Në audio-incizimin e publikuar sot nga Paparaci, Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, e ka përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë në skandalin e madh të keqpërdorimit të transmetuesit publik si mjet të trillimit të shpifjeve dhe të pavërtetave për mediat e lira dhe të pavarura, të cilat rrezikuan jetën e dhjetra gazetarëve në vendin tonë.
Sot, u konfirmua se si Rilind Gërvalla e ka përfshirë këtë agjenci për qëllime të propagandës së ulët të pushtetit, duke e shndërruar RTK-në në media partiake, ndërsa AKI-në si pjesë e organizimit dhe orkestrimit të lajmeve shpifëse që trazuan themelet e fjalës së lirë në Kosovë dhe zgjuan edhe reagime të panumërta nga organizata vendore e ndërkombëtare”, shkruan Tahiri.
Nëse AKI nuk e bën një denoncim të tillë, atëherë e konfirmon rolin e saj organizues në këtë skandal të turpshëm e të pashembullt, thotë më tej deputeti.