Pjetër Shala përmes mbrojtjes së tij ka kërkuar nga Paneli gjyqësor që të mos marrë pjesë në seancën për caktimin e urdhrit për dëmshpërblim, ose si alternativ ka propozuar shtyrjen e kësaj seance e cila është caktuar për 29 nëntor 2024.
Arsyeja e kësaj kërkese është se në ditën kur ishte caktuar data për shpalljen e urdhrit për dëmshpërblim e që Shala u urdhërua që të jetë fizikisht në sallën e gjyqit, në të njëjtën ditë mbrojtja kishte informuar panelin se i pandehuri kishte një vizitë të konfirmuar me gjashtë persona.
Sipas parashtresës, këta gjashtë persona do të udhëtojnë nga jashtë për në Hagë dhe takimi do të zhvillohet në objektet e paraburgimit në po të njëjtën ditë kur është caktuar seanca, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mbrojtja kërkoi nga Paneli që ose t’i lejojë z. Shala të heqë dorë nga e drejta për të marrë pjesë në seancë dhe të përfaqësohet nga mbrojtësi i tij, ose, si alternativë, të riplanifikojë shpalljen e Urdhrit për Dëmshpërblim në një datë tjetër të përshtatshme, në mënyrë që z. Shala të mund të marrë pjesë personalisht”, thuhet në parashtrim.