Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi ka shpalosur pjesë nga programi i partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit.
“Kosova sot ka probleme të mëdha në sektorin e energjisë. Nga pjesa ku ne nuk mund të mbulojmë kërkesën me energji elektrike, sidomos gjatë dimrit, për shkak të pamundësisë për të prodhuar sepse kapacitetet tona gjeneruese janë të stërvjetëruara dhe nuk prodhojnë sasi të mjaftueshme për të mbushur vakumin energjetik në vend. Mandej, varesh prej importeve. Për qytetarët, duhet të dinë që energjinë elektrike që KEK-u e prodhon në Kosovë dhe e shet, ka kosto rreth 30 euro megavat në tregje të energjisë. Energjia sot është 150-200 euro. Pra, gjithë këtë varësi që e kemi nga importi, na përkthehet në faturë elektrike”, tha Azemi në Klan Kosova.
Ai tha më tej se programi i LDK-së parasheh investim në termocentral me gaz, investimi për të cilin do të bëhet nga Fondi Pensional.
“Investimi në termocentral me gaz kemi thënë dhe e kemi analizuar shumë drejt dhe qartë, do të bëhet nga Fondi Pensional. Pra, Kosova sot paratë e këtij fondi i investon në tregjet e jashtme, me një normë të interesit shumë të vogël. Në programin tonë, kemi thënë që atë pjesë të financimit të TC do ta marrim nga Fondi Pensional me një normë interesi bukur më të mirë, që do t’i ndihmojmë edhe Fondit, por edhe Kosovës me kapacitet gjenerues”, deklaroi Azemi.