Në raportin e progresit për Kosovën, të publikuar dje nga Komisioni Evropian, mes të tjerash u dha vlerësimi edhe për progresin e bërë në sektorin e energjisë, për vitin 2024.
Sipas raportit, në këtë sektor u bë progres i dukshëm, sidomos në faturimin e energjisë elektrike në komunat veriore.
Lidhur me këtë, e lumtur është shprehur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka listuar pikat kryesore që kanë ndikuar në vlerësimin pozitiv për Kosovën, në këtë sektor.
Krahas faturimit të energjisë në veri, në raport është vlerësuar pozitivisht bashkimi i tregjeve të energjisë me Shqipërinë, rritja e sigurisë së furnizimit, suksesi i ankandit të parë për energji dhe miratimi i ligjit për BRE-në.
Pozitivisht është vlerësuar edhe progresi në masat e efiçiencës për familje dhe biznese, që është një tjetër faktor ndikues në përafrimin e vlerave me BE-në, vlera këto që mundësojnë anëtarësimin.