Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se Britania e Madhe nuk e kundërshton hapjen e Urës së Ibrit, por tha se kjo duhet të bëhet në kohën dhe rrethanat e duhura.
”Tani, kur është koha e duhur për ta hapur urën?”
”Koha e duhur është kur është e sigurt për ta bërë një gjë të tillë, kur të kemi pasur konsultime të duhura me të gjitha komunitetet në të dyja anët e lumit, për ta qartësuar që ura mund të hapet në mënyrë të sigurt dhe me pranim të mjaftueshëm të komuniteteve, kur e dimë se janë bërë planifikime teknike. Personalisht mendoj se duhet të mendojmë se sa vetura do të na duhen në këtë shtet në kontekst të sfidave mjedisore, të gjitha këto duhen”, tha Hargreaves në Rubikon, transmeton klankosova.tv.
Ambasadori britanik tha nëse ura mbi lumin Ibër do ishte hapur gjatë verës, do të kishte pasur rreziqe të mëdha të sigurisë, derisa vendimin e kryeministrit për të mos e hapur urën e cilësoi si hap pozitiv.
”Ne mendojmë se ura duhet të hapet dhe kjo ka qenë qartazi pjesë e dialogut në të kaluarën, nuk është çështja se a duhet të hapet, çështja është kur dhe si, çfarë kushtesh duhet të ekzistojmë dhe kur është e sigurt që kjo të bëhet. E dimë që ka brenga të sigurisë nëse ura do hapej gjatë verës kjo do shkaktonte rreziqe të sigurisë dhe me të drejtë kryeministri [Albin Kurti] kishte vendosur që të mos e bëjë këtë atëherë. Duhet të hapet por duhet të hapet në kohën e duhur dhe në mënyrë të menaxhuar mirë”, tha Hargreaves.