Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi, kanë inspektuar punimet e rinovimit të tunelit të Kurrizit.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se ky projekt ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe të infrastrukturës.
“Rritja e sigurisë për këmbësorë, biciklistë dhe vozitësit e automjeteve; Përmirësimi i infrastrukturës së përgjithshme, përfshirë ndriçimin, largimin e ujërave atmosferik dhe largimin e gazrave të emetuara nga automjetet dhe bizneset ekzistuese,duke krijuar një hapësirë të re për qytetarët”, ka shkruar ai.
Njëherit, Rama ka treguar më hollësisht rreth planit të rinovimit të tunelit të Kurrizit.
“Tuneli do të shndërrohet në një qendër aktive për aktivitete kulturore dhe komerciale. Do të organizohen koncerte, ekspozita dhe festivale, duke sjellë një atmosferë të re në qytet. Përveç kësaj, tregjet e fermerëve dhe panairet lokale do të bëjnë këtë zonë një pikë të rëndësishme takimi për qytetarët”, ka përfunduar Rama.