Besart Dreshaj, kryetar i Lidhjes së Bizneseve, thotë se gjendja ekonomike dhe ajo e mirëqenies sociale, në Raportin e Bankës Botërore, është paraqitur ajo që është edhe në realitet në Kosovë.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Dreshaj tha se Lidhja e Bizneseve ka pranuar raportin e Bankës Botërore dhe ka bërë disa analiza.
“Për fat të keq, gjendja ekonomike është paraqitur kjo që është dhe gjendja e mirëqenies sociale është kjo që është, që është raportuar në bazë të statistikave dhe Raportit të Bankës Botërore. Jemi në nivel të lartë të varfërisë në rajon duke e krahasur me shtetet e regjionit dhe kemi rritje ekonomike prej 3.8% e cila rritje ekonomike vlerësohet pozitive, por për fat të keq nëse analizojmë bazën dhe gjendjen në të cilën e kemi ekonominë, atëherë është rritje e vogël ekonomike që nuk reflekton fare në mirëqenien e qytetarëve”, tha Dreshaj.
Ai shtoi se kjo paraqet gjendjen në të cilën jemi si Kosovë dhe gjendjen e politikave ekonomike që institucionet po i ndjekin.
Dreshaj tha se Lidhja e Bizneseve ka ngritur shqetësim dhe ka nevojë të ndryshojë çështja e të bërit biznes dhe politikave ekonomike dhe fiskal, pra të ndryshojë qasja e Qeverisë ngase nuk po jep rezultat në zhvillim të ekonomisë.
Ky raport i Bankës Botërore, ai tha se është si këshillë dhe rekomandim ndaj institucioneve. /BetimipërDrejtësi