Tina Kaidanow, ambasadorja e parë e ShBA-së në Kosovës, vdiq gjatë ditës së djeshme, duke lënë pas një karrierë të bujshme në sferën politike ndërkombëtare. E njëjta po ashtu pati ndikim të madh në pavarësinë e Kosovës.
Në vitin 2006, Tina Kaidanow ishte emëruar shefe e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga presidenti George ë. Bush.
Kaidanow, më 17 shkurt 2008, ditën e shpalljes së pavarësisë, ishte emëruar ambasadore e ShBA-së në Kosovë, duke qenë kështu e para që emërohet nga qeveria amerikane në postin e ambasadores në Prishtinë.
Diplomatja amerikane ishte mbështetëse e madhe e pavarësisë së Kosovës, këtë e tregon edhe një letër që menjëherë pas pavarësisë, Kaidanow ia kishte dërguar Vlora Çitakut, e cila aso kohe ishte deputete.
“Ne deshëm të të themi faleminderit për gjithë ndihmën dhe punën e madhe në përgatitjen e Ditës së Pavarësisë. Gjërat shkuan shumë mirë, ti dhe Kosova mund të jeni krenarë”, kishte shkruar Kaidanoë.
Kaidanoë e njihte mirë Ballkanin Perëndimor, pasi kishte shërbyer në misionet diplomatike të SHBA-së, edhe në Serbi, Maqedoni e Bosnjë e Hercegovinë.
Në vitet 1998-1999 kishte shërbyer në Shkup si asistente speciale e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Maqedoni, Christopher R. Hill. Derisa, më vonë ajo u bë Zëvendës Shef i Misionit në ambasadën e SHBA-s në Sarajevë nga viti 2003 deri në 2006.
Përpos Ballkanit, Kaidanow kishte shërbyer edhe në ambasadën amerikane në Kabul të Afganistanit, nga shtatori 2012 deri në tetor 2013.
Derisa, më pas, në vitin 2016 ajo ishte emëruar koordinatore për kundërterrorizëm nga shkurti i vitit 2014 deri në shkurt të vitit 2016, ku më pas kaloi në Byronë e Çështjeve Politiko-Ushtarake si Zëvendës Ndihmës Sekretari Kryesor.