Tensionet janë të larta në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli goditi tri baza të misionit Unifil të vendosura në Libanin jugor. Dy nga bazat e prekura janë italiane, ndërsa e treta është selia e misionit të OKB-së.
Shefi i paqeruajtësve të OKB-së, Jean-Pierre Lacroix i ka thënë këshillit të sigurisë se siguria e më shumë se 10,400 paqeruajtësve të OKB-së në Liban ishte “gjithnjë e më shumë në rrezik” dhe operacionet praktikisht ishin ndalur që nga fundi i shtatorit, duke përkuar me përshkallëzimin e Izraelit kundër Hezbollahut në Liban, raporton A2.
“Paqeruajtësit kanë qenë të kufizuar në bazat e tyre me periudha të konsiderueshme kohore në strehë,” tha ai, duke shtuar se misioni – i njohur si Unifil – ishte i gatshëm të mbështeste të gjitha përpjekjet drejt një zgjidhjeje diplomatike.
Komentet e tij erdhën pasi misioni paqeruajtës i OKB-së në Liban tha se forcat izraelite kishin qëlluar qëllimisht mbi pozicionet e tij, duke plagosur dy paqeruajtës nga Indonezia. Unifil i quajti sulmet ndaj paqeruajtësve “një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar”.
Shtëpia e Bardhë tha se SHBA ishte thellësisht e shqetësuar nga këto raporte dhe po i bënte presion Izraelit për detaje. Ushtria izraelite tha se trupat e saj operonin në zonën Naqoura, “pranë një baze Unifil”.