Wojciech Szczesny e ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin spanjoll “Mundo Deportivo”, duke folur mbi të gjitha për rikthimin e tij në fushën e blertë, pak muaj pas pensionimit nga futbolli.
Së fundmi, ai iu bashkua Barcelonës, e cila e angazhoi ish-portierin e Arsenalit dhe të Juventusit në vend të Andre Ter Stegen, i cili e pësoi një lëndim të rëndë.
“Është një histori mjaft e çuditshme sepse një ditë para se të lëndohej Ter Stegen, isha i sigurt 100% se do t’i thosha jo cilitdo ekip. Por, kur më thirri Barcelona, kur u bë reale oferta, ishte një ndjenjë ndryshe. E shikova gruan time duke shpresuar që do të thoshte thjesht: ‘mos e bëj’. Por, nuk isha në gjendje t’i thosha ‘jo’ Barcelonës. Historia e klubit dhe privilegji që e ndien duke e veshur këtë fanellë është ajo që më bëri që ta ndryshoja vendimin, asgjë tjetër. Nuk besoj se do ta bëja për dikë tjetër. Ndoshta ishte e shkruar”, deklaroi portieri polak.