Trajneri i Kosovës, Franco Foda ka folur sërish për suspendimin e Edon Zhegrovës, Florent Muslisë e Arijanet Muricit para ndeshjes me Qipron. Ai thotë se vendimin për suspendimin e tyre e mori ai bashkë me FFK
“Këtë vendim e ka marrë trajneri dhe Federata, këta lojtarë i kanë thyer rregullat dhe i kemi larguar para ndeshjes me Qipron”, tha fillimisht Foda në konferencë për shtyp.
Kujtojmë se treshja e lojtarëve në fjalë janë thirrur dhe do jenë prezent në ndeshjet e tetorit.
Foda foli edhe për rëndësinë e dy sfidave të radhës dhe qasjen që do të ketë ekipi i tij.
“Objektivi ynë është i qartë: nëse dëshirojmë të jemi të parët në grup, duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet e radhës. Lituania është një skuadër cilësore dhe e tregoi këtë duke luajtur mirë kundër Rumanisë. Për ne është shumë me rëndësi që ta marrim vetëbesimin nga fitorja kundër Qipros dhe ta transferojmë në ndeshjen kundër Lituanisë”, tha Foda.
Lidhur me ardhjen e portierit të ri, Amir Saipi, ai u shpreh shumë i lumtur që portës dardane iu shtua edhe një alternativë mjaft cilësore.
“E kam vrojtuar me kujdes performancat e tij në Lugano dhe jam shumë i lumtur që ka zgjedhur ta përfaqësojë Kosovën. Cilësitë e tij do të jenë një aset i vlefshëm për ekipin. Vendimi për portierin që do të vendoset në formacion do të merret pas stërvitjeve”, deklaroi Foda.