Afaristi Ukë Blakaj këtë të premte është zgjedhur kryetar i degës së AAK-së në Istog, raporton Demosi.
Blakaj ka zëvendësuar në këtë pozitë deputetin Bekë Berisha dhe në të njëjtën kohë është nominuar edhe kandidat për kryetar të Komunës për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Pas marrjes së detyrës Blakaj tha se Istogu meriton më mirë.
“Faleminderit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, vendi ynë meriton të jetë më i mirë më i pastër dhe me më pak probleme, zotohem se do të punojë së bashku me të gjithë juve, për rritjen dhe fuqizimin e AAK-së në Komunën e Istogut. E mira e kësaj punë është se në degën e AAK-së në Istog ka njerëz atëdhetarë, punëtorë e të mirë të përgatitur profesionalisht. Jam shumë i bindur që së bashku do të dalin faqebardhë për zgjedhjet për Kuvend e pastaj për zgjedhjet lokale”, deklaroi Blakaj.
Ndërsa lideri i AAK-së Ramush Haradinaj shtoi se ata si parti kanë vendosur ta shndërrojmë Istogun dhe mbarë Kosovën në një destinacion tërheqës për investime, me ekonomi të zhvilluar dhe të integruar plotësisht në NATO e BE.