Drama mes Feronit Shabanit, dikur i njohur me emrin artistik ‘Fero’ dhe ish-gruas së tij, Arbenita Ismajlit, në lidhje me kujdestarinë e vajzës së tyre, duket se nuk ka marrë fund, pavarësisht se zhvillimet e fundit dhanë përshtypjen për të kundërtën.
Kanë kaluar veç pak ditë prej një deklarate publike të ish-reperit, përmes së cilës ai pretendonte se ka marrë kujdestarinë e vajzës.
Sipas asaj që la të kuptohej Fero, vajza do të qëndronte përgjatë javës me të, e në fundjavë me nënën e saj Arbenitën.
Një vendim në formën e tillë, natyrisht se gëzoi Feron pasi që ishte ky i fundit që pretendonte se Arbenita e ka marrë pa lejen dhe pa dijeninë e tij vajzën jashtë Kosovës, e madje hidhte edhe aludime të tjera se asaj ia kanë falsifikuar pasaportën, vetëm e vetëm që ai të ketë kontakt sa më pak me të.
“Jetoj që shumë kohë pa vajzën time. Po më bëhet padrejtësi. Vajza më është kidnapuar, ia kanë falsifikuar pasaportën – nuk e di ku është. Një njeri i shkatërruar në një mijë mënyra”, deklaronte Shabani, para se të dilte me vendimin se ka fituar kujdestarinë e vajzës.
Por kjo çështje duket se nuk e ka marrë vulën përfundimtare. Kështu të paktën thuhet nga pala e Arbenitës.
Avokatja e saj, Blinera Osmani, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se nuk qëndron fakti se klientes së saj i është marrë kujdestaria e vajzës.
Kjo për shkak se siç thotë Osmani, është kundërshtuar vendimi për kërkesën për mbrojtje emergjente nga ana e Feronit Shabanit, andaj ende s’ka vendim të prerë për kontestin mes dy palëve.
“Kujdestaria ende nuk i është marrë klientes time sepse vendimi për kërkesën për mbrojtje emergjente që është bërë prej babait të vajzës është kundërshtuar, kështu që derisa nuk kemi një formë të vendimit të prerë nuk e konsiderojmë që është marrë kujdestaria e vajzës”, tha Osmani për Telegrafin.
Me fjalë të tjera, mbrojtja e modeles po pret vendimin e gjykatës mbi ankesën që kanë parashtruar për vendimin.
“Ne brenda afatit ligjor e kemi dërguar kundërshtimin tonë dhe testin brenda shtatë ditëve sipas afatit ligjor që përcakton ligji për të marrë vendim mbi ankesën tonë”, tha tutje avokatja Osmani.
Ish-reperi Fero dhe modelja Arbenita Ismajli, kishin vendosur para katër vitesh që lidhjen e dashurisë së tyre ta kurorëzonin me martesë.
Karriera ulje-ngritje e Feronit Shabanit ishte transmetuar edhe në raportin e tij me Arbenitën, duke kulmuar me ngjarjen e korrikut të vitit të kaluar kur ai ishte prangosur nga organet e drejtësisë nën dyshimin për dhunë në familje, konkretisht sulm dhe kanosje ndaj tashmë ish-gruas së tij.
Një zhvillim i tillë do të shënonte edhe fundin e raportit martesor mes dy personazheve shumë të komentuara të shoubizit, e gjithashtu fillimin e betejës ligjore për kujdestarinë e vajzës së tyre.
Periudha në fjalë do të ishte koha e transformimit total të Feronit Shabanit, duke lënë kështu muzikën përfundimisht dhe duke iu përkushtuar praktikimit të fesë islame, gjë të cilën e bën edhe sot.