Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është hera e parë në 7 vjetët e fundit që shifrat e ikjes së mjekeve janë ulur.
Vitia i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se nga ikja e mjekëve do të kolapsojë sistemi shëndetësor. Ai ka akuzuar Haxhiun për shpifje.
“Në 7 vjetët e fundit është hera e parë që shifra e ikjes së mjekëve është ulur”, tha Vitia në Kuvend.
“[Bekim Haxhiu] Tha se statuti i SHSKUK-së po i mbyll disa shërbime e ne, qytetarë të nderuar, çdo ditë po hapim shërbime të reja dhe kjo është një e pavërtetë e radhës. Tha për mungesë të barnave, që situata kurrë s’ka qenë më keq, është një e pavërtetë tjetër. Në Kosovën e pasluftës kurrë më shumë s’kanë qenë të furnizuara QKUK dhe spitalet rajonale. Sa i përket marrjes së shtretërve në Pediatri është një e pavërtetë tjetër. Ne i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet që kemi nëse nuk shfrytëzohen nëpër klinika”, tha Vitia.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në deklarimet jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit, ka folur për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova.
“Ikja e profesionistëve shëndetësorë është shndërruar në dukuri shqetësuese sepse ne nuk mund të përgatisim profesionistë shëndetësorë aq sa po na ikin. Kjo do ta kolapsojë gjendjen në shëndetësinë tonë”, ka theksuar ai .
Haxhiu ka thënë se mungesa e materialit shëndetësor nuk është lajm për këtë Qeveri.