Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në lidhje me vrasjen e së dielës në Aktash ku mbeti i vdekur një person e pesë të plagosur ka thënë se është e papranueshme që kriminelët apo grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë.
Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se me këtë rast duhet të merren organet përgjegjëse dhe se institucionet duhet të mbahen përgjegjëse për veprimet që i kanë me kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.
“Për mua është e papranueshme që kriminelët, grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë, apo tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të mendojnë se janë mbi ligjin apo shtetin. I bëj thirrje secilit institucion të kryejë detyrat me përgjegjësi të larta,të mos lejojë kriminelët të bëjnë veprime të tilla”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo thotë se nga videot e postuara në rrjetet sociale nga ky rast shihet se edhe jeta e qytetarëve të pafajshëm është rrezikuar dhe sipas saj për këtë kryesit e kësaj vepre duhet të vihen para drejtësisë.