Gazetari Adriatik Kelmendi ka bërë thirrje që Faton Hajrizi mos të krahasohet me Milan Radoiçiqin. Sipas Kelmendit, një krahasim i tillë i shërben vetëm interesave të Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Kelmendi ka vënë në pah dallimet e shumta në mes Hajrizit e Radoiçiqit.
Ai ka theksuar se Radoiçiqi ishte i stërvitur për të kryer sulme në Kosovë, ndërkaq Hajrizi ishte thjeshtë një i kërkuar nga Policia e Kosovës për krimet që ka kryer në Kosovë.
“Mos e krahasoni Faton Hajrizin me Milan Radoiçiqin. Fatoni ka qenë kriminel recedivist i thjeshtë, që ka kryer krime në Kosovë, ka ikë nga burgu dhe e ka vrarë një polic në Serbi rastësisht. Milani ka qenë nënkryetar i një partie politike, i cili është stërvitur nga strukturat shtetërore në Serbi dhe ka hyrë me grup të organizuar terroristësh dhe të armatosur rëndë me qëllim pushtimin e një pjese të Kosovës. Fatonin e ka ndjekur shteti i Kosovës për ta arrestuar. Milani ka gëzuar mbështetjen dhe mbrojten e shtetit të Serbisë, si hero.
Çdo barazim i Fatonit dhe Radoiçiqit i shkon për shtati vetëm Serbisë dhe është kundër interesave të Kosovës”, thuhet në postimin e Kelmendit.
Faton Hajrizi u vra sot nga forcat e policisë serbe pasi kaloi rreth 36 orë në arrati për shkak të vrasjes dhe plagosjes së një tjetër polici serbë.