Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se Qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, dhe që ai veprim nuk është kundër askujt.
Kështu njoftoi Zyra e Kryeministrit për takimin e kryeministrit Kurti me ambasadorët e QUINT-it, me të cilët diskutoi për këtë çështje.
Lidhur me këtë çështje, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se pas takimit të djeshëm u kuptua që ka një “koordinim” me shtetet e Quintit.
Haziri në një prononcim për GazetaBlic, thekson se prezenca e Bislimit në takim tregon që po provohet që kjo çështje të trajtohet në dy binarë.
Nënkryetari i LDK-së, thotë se pas tetë veprimeve të njëanshme të Kurtit në raport me veriun, ky është një takim që preventon veprimin e njëanshëm apo mos guxim që këtë herë të veproj si sovranist.
“U kuptua që ka një “koordinim” me shtetet e Quintit nga takimi i djeshëm. Pas tetë veprimeve të njëanshme të Kurtit në raport me Veriun është takim që preventon veprimin e njëanshëm apo mos guximi që kësaj here të veprojë si sovranist. Prezenca e zv.Kryeministrit Bislimi në takim është tregues që po provohet të trajtohet në dy binarë kjo çështje. Për konsum të brendshëm si takim njoftues për ambasadorët e Quintit dhe prezenca e tyre trajtohet si “mbajtës të shënimeve” nga ajo që publikuan me foto në prezencën e Kurtit e Sveçlës, si dhe nga ana tjetër mundësi që Bislimi ta vlerësojë sa fort është pozicioni i këtyre ambasadorëve që hapja të trajtohet në kuader të kornizës së dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së”, përfundoi Haziri.