Kuvendi komunal i Prishtinës me 36 vota për, asnjë kundër e ka miratuar propozim-vendimin për kompensimin e Elza Ujkanit, e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit të objektit të komunë së re të kryeqytetit.
Ujkani do të kompensohet me 110 mijë euro për lëndimet e marra në këtë rast.
Kryetari i komunës, Përparim Rama, ka thënë se kjo është për shëndetin e Elzës.
“Ka të bëj rreth përmirësimit të shëndetit të zonjushës Ujkani e cila sot është me ne, kështu që propozimi është për të vazhduar shërimi”, ka thënë Rama.
Ndërsa, shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, tha se e përkrahin propozimin.
“Ashtu siç e ka potencuar kryetari, ku propozimi për paradhënie nuk e ndalon asnjë proces, çoftë të organeve të hetuesisë për gjetjen e fajtorit të rastit, e në një situate të tillë, ne e mbështesim dhe përkrahim ketë propozim”, theksoi ai.
Edhe asamblistët e PDK-së i kanë dhënë mbështetje këtij propozimi.
“Edhe ne si grup përkrahim këtë ndihmë financiare e cila do shkoj tek Elza Ujkani. Më e rëndësishme është që të bëhet sigurimi i kulmeve të objekteve të vjetra, edhe banorët e lagjes Ulpiana kanë kërkuar ndihmë për një kulm, pas një lëvizje të madhe. Andaj kërkojmë nga kryetari dhe organet të merren me rastet e tilla të mos përsëriten”, tha asamblistja e PDK-së, Gresa Lahu.