Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj për RTKlive, nuk ka dashur që të komentojë zhvillimet lidhur me rastin e Sekirarës.
“Nuk dua të komentoj, ne e kemi bërë punën tonë”, tha kryeprokurori Isufaj.
Ndryshe Apeli të premten, pas ankesës së Prokurorisë Speciale, kishte vendosur ta kthente Sekiraqën në paraburgim, pasi Themelorja më 3 maj ia kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri.
Për lënien në liri të Sekiraqës ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet herë në arrest shtëpiak e pastaj në liri, deri në një aktvendim tjetër, kësisoj arratiset tërësisht. Për arratisjen e Sekiraqës kanë detaje edhe nga policia e Kosovës.
Policia ka thënë se dje dhe sot e ka kërkuar Sekiraqën në shtëpi, por nuk e kanë gjetur. Janë njoftuar edhe vendkalimet kufitare e drejtoritë rajonale policore.
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi. Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, ka konfirmuar Policia.