Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se sot e ka përfunduar raportimin e tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë-Podujevë.
Para mediave, ai ka deklaruar se është i pafajshëm për këtë çështje të cilën po akuzohet dhe hetohet.
“Unë sot iu përgjigja ftesës së Prokurorisë Speciale, isha i ftuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë- Podujevë. Kryesisht, kjo është fazë e fillestare dhe pyetjet e prokurorit ishin pyetje sqaruese. Unë i sqarova pothuajse të gjitha pyetjet të cilat i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë-Podujevë ka qenë një proces i rregullt dhe se atje po zhvillohen punimet me dinamikën të cilën e kemi planifikuar”, ka thënë Durmishi.
“Në një farë mënyre sqarova para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces. Kryesisht bëhet fjalë për një kallëzim penal që e ka bërë një operator ekonomik, ankues në kohën kur janë nënshkruar këto kontrata e cila është totalisht e pa bazuar”.
“Ka vendime edhe të OShP-së për këtë çështje dokumente të cilat janë publike dhe që dëshmojnë pastërtinë tonë në gjithë këtë proces. Prandaj, thjeshtë ishin disa sqarime të prokurorit të cilat ai i mori dhe tash po presim se çka do të ndodhë”, ka thënë Durmishi.