Shkruan: Bedri Halimi
Emri i Donika Dabishevcit është i njohur në fushën e letrave shqipe. Ajo deri më tani ka botuar disa libra letrar e studimor. Në veçanti është e njohur si poete. Së fundi para opinionit lexues ajo doli me librin më të ri me poezi e titulluar “E Gjithkohshmja Andërr”. Botues “Littera”, Prishtinë, 2024. Ky libër është i ndarë në katër cikle brenda 110 faqeve (Zanun n’lak; Lakmia me u çmend; N’luft me korba; Dhimta n’gufatuna n’ofshama t’pazashme). Ndarja është formale, sepse të gjitha poezitë kanë lidhje harmonike e tematike mes vete, sa që i tërë libri mund të quhet si poemë në vete.
E veçanta e parë në këtë libër është se tërë poezitë trajtojnë në forma të ndryshme temën e luftës, kryesisht të luftës së fundit në Kosovë, por që brenda këtyre temave trajtohen edhe tema të luftës që frymëzimin autorja e ka marrë nga rastet e ndryshme të luftës në botë, si në Bosnje, Gaza, Ukrainë. Edhe në rastet kur temat në dukje të parë kanë karakter individual, përmes formës së shtjellimit dhe mënyrës së ligjërimit poetik, autorja që të gjitha krijimeve u jep karakter universal.
E veçanta e dytë në këtë libër ka të bëj me këtë libër, është mënyra e ligjerimit poetik, ku secila poezi në vete, e tërheq lexuesin për ta lexuar krijimin deri në fund. Pra lexuesi në këtë rast sapo të filloj ta lexoj titullin provokativ, apo edhe vargjet e para, gjithësesi kureshtja nuk do ta lejojë që ta ndërpresë leximin pa i rënë deri në fund.
Natyrisht, dihet se tema e luftës ka provokuar shumë krijues të cilët janë munduar që të shkruajnë krijime letrare në gjini të ndryshme, por mjerisht të paktë janë krijuesit të cilët i janë shmangur patetizmit dhe deklarativizmit në krijimet e tyre. E edhe më të paktë janë krijuesit që janë munduar për të shkruar libra të tërë për ngjarjet e luftës (përjashto monografitë e ndryshme qoftë për dëshmorët, qoftë edhe për dhunën e ushtruar serbe në Kosovë).
Që në poezinë e parë “Granatimi” autorja vë në dukje në formë artistike çështjen e ndaljes së rritës, ndaljes së jetës normale në mënyrë të menjëhershme, sapo filloi lufta. Në rrethana lufte njerëzit detyrohen të shpërngulen nga shtëpitë, për t’i ikur më të keqes, prandaj edhe në poezinë “Shpija” autorja thotë: “rrugtë, shëmtohen prej boshit…”, “shpija asht streh… shpija t’mbipopullueme… e lufta s’ti vet letrat”. Shpërqëndrimi i njerëzve nga frika, në rrethana lufte, për ta shpëtuar kokën, i bën ata që ato shtëpija t’u duken shumë të mëdhaja në rrethana zori, ndërkohë që në rrethana normale, u duket se shpija është aq e vogël sa që “po na zihet fryma, sa që s’kemi hapsinë, s’kemi vend…”
Në këto shtepija janë “Dhoma t’rrëmujshme me nga 20-30 vetë, t’njohun e t’pa njohun”, që detyrimisht “mishnohen në t’njëri-tjetrin”. Në këto shtëpi “bodrumet e errta, t’mykëta, ajërzonta, janë ma t’dëshiruemet”, se sa dhomat e emërme “me dritare të mëdha”, sepse “lufta t’i mbyt tana andrrat… lufta t’i minimizon edhe nevojat”, përpos që “lufta ta humb arsyen”.
Në poezinë “Simfoni zorrësh” autorja paraqet gjendjen e rëndë të njerëzve të cilët ballafaqohen me mungesa të shumta të gjërave elementare, e në veçanti me mungesën e kryesores, mungësën e ushqimit. Prandaj konkludon “qysh me i ushque tan’këta shpirtna… Buk, ku me gjetë buk!” ku, ndonëse “oborri asht bo pos me u kosit, \ S’ka ma as hithra e barishte \ Tana jeshilleqet që mund të hahen janë ngranë”.
Kështu që njerëzit kanë mbetur “t’rrethuem n’tana antë prej armëve / që presin ma t’voglën lëvizje me gjue…”
Kulmi i klithmës poetike arrin me shprehjet “janë shumë barqe t’urituna e shumë zorrë / tuj folë njëherësh”.
Në poezinë “Matrapaztë”, autorja përmes fuqisë artistike fshikullon në mënyrë kamxhikosëse për përfituesit e luftës gjatë kohës së luftës, ku thotë: “Janë do tipa n’kajde t’insanit… i fërkojnë duert… lëpihen, jargaviten, dhjamosen, mbushin thastë e palojnë pare…” dhe brenda unit të tyre thonë: “Zgate zot luftën!…” ku në këtë kohë “Buka, krypa, vaji…” janë me çmime të paprekshme, “T’pa kapshme. T’pa mbrritshme. T’paimagjinueshme”. Kështu çmimet rriten përditë, “krahas vorreve. Veq çmimi i jetës së njeriut vazhdon t’bjen…, s’ta bajn mall…!”.
Në poezinë “Deka…” autorja përmes vargjeve artistike duke e përshkruar realitetin, të lë pa frymë, ku konkludon:
“Burra dhunshëm ndarë prej kolonash,
Drejtue lugprrojesh për pushkatim.
Kamionë deng me kufoma
Udhëzue drejt furrnaltash për asgjasim”
Natyrisht dihet se numri i të vrarëve në këtë rast shëndrrohet në statistikë, duke mos përzgjedhur as moshën e as gjininë, pra, duke u vrarë pleq, gra e fëmijë.
Në këtë drejtim, ligjërimin e dhëmbjes autorja e vazhdon sërish:
“Lagje, rrugica t’përmbytuna n’gjak. Kufomat
Lundrojnë lumenjëve..
Pirgje t’dekunish…
T’pa identifikuem t’therrun si derra.
T’shpërfytyruem n’hunj…
Bebe t’nxjerruna prej barqesh t’shtatzanave.
Bebe t’ushqyeme me gjak gjinjësh t’nanave.
Koka t’kputuna n’rranxë t’qafës n’gabzherr n’zverk.
Trupa t’damkosun me hekur t’nxeht…
Sallatë prej kockash njeriu…”
Pra, këtu “deka ndërron trajta,… merr turli forme… Kërcënuese deri n’shfarosje. N’asgjasim. Deri n’zhbamje!”.
Për të vazhduar së ligjeruari, me klithmat ekzistenciale të njerëzve të mbledhur rreth tranzistorëve duke thënë:
“A na u kan afrue,
Ku po granatojnë,
A po na ndihmon kush,
A po desim a po pshtojmë?”
Marrë në përgjithësi trajtimin e secilës temë të luftës që e bën autorja, sikur të gjitha mblidhen në poezinë “E gjithkohshma andërr”, e që është edhe titull i librit, sepse, andërr ju duken edhe veprimet iracionale të pushtuesit, që me veprimet e veta i ka bërë që të shkëputen nga realiteti i ekzistencës normale. Andërr u duket edhe më vonë këtyre personazheve të shpëtuar, të cilët çuditen me veten se si kanë arritur të shpëtojnë. E natyrisht andërr u duket edhe njerëzve të cilët nuk e kanë përjetuar këtë luftë, si dhe ata që kanë lindur e do të lindin pas luftës, sepse të gjithë, duke i thirrë logjikës së arsyes, ju duket e pamundur që kështu të veproj njeriu kundër njeriut. Dhe jo vetëm kaq. Kjo “andërr e gdhendun në ADN, ku, për shumë njerëz të vrarë, të cilëve nuk u dihet nami as nishani, pasardhësit e tyre jetojnë më shpresën se një ditë do të gjendet një lajm, përmes analizave të ADN-së, që i afërmi i tyre ta ketë një shenjë, ta ketë një varr ku do të prehen eshrat e tij, dhe ku pasardhësit e tij do të ngushëllohen me përkujtimin për të, ku në data të caktuara do të vendosin lule për përvjetor të vrasjes.
“Por kjo andërr është e vështirë.
Andërr që t’magjepsë,
Andërr që t’matufosë
Andërr që t’budallepsë…
Andërr që ka brenda vetes andrrën,
Andërr që andrron me e andrrue,
Andërr që lodhësh e s’mund e andrron”.
Në poezinë “Ngryk’” përmes ligjerimit poetik jepet mesazhi i marrjes së hallallëkut, pra mesazhi i përshëndetjes së njerëzve në momente kritike të luftës, sepse nuk dihet kush dhe kur do të vritet qoftë nga largësia përmes granatimeve, qoftë nga afërsia përmes vrasjeve e torturimeve.
Në poezinë “Tuj ikë dekës”, bëhet fjalë për fatin e njerëzve të pambrojtur të cilët nga rreziku i vrasjeve shëtisin pa kontroll, prej një vendi në një vend, apo siç thotë poetja “prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund / prej shtegu n’shteg, qafmalesh, rranzash, / pjerrinash, rrëpinash t’thyeshme…”.
E njerëzit që i bëjnë këto veprime “janë shumë. T’pa numrueshëm janë. Gjithkah. Gjithkund, fëmijë, gra e pleq…” me “strajcat n’shpinë, t’vogjlit t’kaqafun / t’plagosunit n’lese t’sajueme…”, që “s’dihet ku ju err nata e ku ju çel dita…”, sepse “ata ikë e deka njekë!”
Në poezinë “Tuj ecë n’mina”, krahas pasigurisë, frikës nga granatimet e vrasjet, njerëzve u është shtuar në vende të caktuara nga okupatori edhe një kurth tjetër, ajo e minimit të terrenit. Kështu që ecja nëpër terrenet e pashkelura, e të panjohura, bartëte me vete edhe rrezikun potencial të shpërthimit të minave në befasi, ku si pasojë e shpërthimeve që kanë ndodhur: “hap mas hapi rrallohen njerëzit,
S’mun’ u bishtnjojnë kurtheve
T’malit t’minuar…
N’secilin hap bie ndonji…”
Në këto situata, njerëzit bien në hallë se si të veprojnë, keq të ecin e keq të ndalen. Pra:
“Me u ndalë,
Qysh me u ndalë?
Me ecë,
Qysh me ecë me dekën për dore?…”
Në poezinë “Rrethuem katëran’sh” krahas gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet popullata dhe situatave të papritura që mund të ndodhin çdo moment, te prindërit, sikur lind një dëshirë brenda unit të tyre, ku përderisa kanë fëmijët me vete, me rrezikun që nuk do të shpëtojnë, ata, sikur t’u krijohej mundësia, do të zgjidhnin që të vdisnin “Veç një dakik para fëmijëve / ikë si ma e lumtuna qenie prej kësaj bote”, do t’u dukej, vetëm të mos e përjetonin vdekjen e fëmijëve para tyre.
Në poezinë “T’shtana batare”, bëhet fjalë për vrasjet që ndodhin nga pjestarët e forcave serbe, kërcënimet e të cilëve dëgjohen “Ulurime t’pandigjueme ma parë prej bishash t’egra / mveshun me ftohtësi akullsisht t’përbindshme…” Urrejtja e të cilëve “Kapërdinë edhe foshnjat ndjep…” Pas vrasjeve makabre, ku shuhet “Vajklithma e fëmijëve… E kur asgja ma s’pipëtin, / kris humori e kris gajasja…” nga ana e pjestarëve të qartur të okupatorit serbë.
Në poezinë “N’atë zezëdite” paraqitet thirrja e nënës që ta merrnin atë në vend të vajzës së mitur; paraqitet klithma e babës që ta merrnin atë në vend të djalit të cilin ia kanë vënë “n’tyt t’pushkës”, gjithashtu paraqitet edhe vrasja e të birit, në këtë rast e vëllaut, pa arritur akoma për të thënë më merrni mua në vend të vëllaut apo motrës.
Poezia me titull “Pas masakrës” i kushtohet ngjarjeve të Masakrës së Reçakut e cila tronditi botën dhe nxiti reagimin ndërkombëtar. Në këtë poezi autorja përmes artit arrinë që të përshkruaj në mënyrë artistike të pa bërat e pjesëtarëve të okupatorit serb, nga veprimet e të cilëve, njërëzve të pafajshëm që u vranë:
“Nji kambë këtu, nji kryje atje, trupa si kuaj deti,
Torso, pa gjymtyrë, mushkni e zorrë përziet,
Sy t’ngrimë që shkëlqejnë si fosfor, fmijë t’coptuem,
Mish i grimë dhe gjak. Shumë gjak…”.
Në poezinë “Vaji i bebave”, paraqitet gjendja e rëndë si e fëmijëve, në këtë rast e foshnjeve gjatë kohës së luftës, ashtu edhe sikletin se nga vaji i foshnjeve të padjallëzuara, forcat serbe do të mundnin t’i zbulonin se ku janë. Prandaj autorja shkruan:
“Shhhhhhhhhh…
Qysh me ua ndalë t’amblat gugatje,
Qysh me ua ndalë t’përvajshmin za,
Qysh me ua mshelë gojën – pa ua zanë…
Pa ua ndalë frymën, pa i molepsë?”
Dhe në formë dëshire nga shpirti sikur klithin nënat e tyre:
“Qysh me i ba bre…
Fëmijtë diqysh t’padukshëm…”.
Këto thirrje pra, bëhen nga thellësia e shpirtit për të mos ndodhur ajo që ndodhë siç e shkruan autorja në poezinë “S’kish menu nanëzeza…” ku nga plaga e madhe e plagosjes së të birit nga granatat thotë:
“Aman more Zot, merre,
Merre nji dakik e ma parë.
T’falem Zot, merre shpejt,
Merre e mos e le me hjekë!”
Dhe atë, pra lutjen për marrjen nga ana e Zotit të fëmijës, e bën:
“Jo me pushue, as me fjetë…
Me i mshelë për mos me i çelë ma…
Nanëzeza menxi ja kish tubue zorrtë t’birit”, pas lutjes së të birit të plagosur:
“Marova nanë prej barku, mos m’prek…
Po m’dhem shum…”.
Në poezinë “Ngjitun si thue n’mish”, bëhet fjalë për gjendjen e rëndë të njerëzve të cilët nuk guxojnë të ndezin zjarre as në natyrë, sepse nga tymi do të marrë vesh armiku dhe do të zbulohen se ku janë, dhe e njejta gjë do t’u ndodhë edhe në oxhakun e shtëpisë, ku:
“Asnjë gacë zjermi n’shkarpa t’thata
Tuj mos guxue me e dhezë.
Se shihet tymi e vijnë Ata…
Dimër, ftoht i madh acar.”
Ndërkaq për ata që e kanë marrë guximin të mos largohen nga shtëpija, sidomos pleqtë, pasi i vrisnin, ia vënin flakën shtëpisë. Heronjtë lirik në këtë rast “S’kish pas gja që i nxjerr prej shpisë” e pas djegjies së shtëpisë me themel:
“Prej pleqve
Nji grusht eshtna
Aq kish mbet”.
Në poezinë “Drejt pushkatimit” përshkruhet gjendja e rreshtimit të mëshkujve të cilët ekzekutohen pasi i kanë hapur vetë varret e tyre, ku:
“Burrat rreshtohen para vorreve t’çeluna
Me duar t’tyne. Me thonj…”
Ku armiku me ironi iu ka krijuar këtë ‘privilegj’, “me ja sheshue vetes shtratin e fundit!”
Por, “A tuten t’dekunit prej dekes?” pyet poetja.
Te poezia “T’mallkuemet fati” paraqiten “mizoritë e papame” të vrasjet dhe dhunimet e femrave shqiptare.
Në poezinë “Tuj lutë për dekë prej plumbi”, në këtë poezi autorja duke e parë ballafaqimin e njerëzve me situata shumë të papritura dhe të rënda, ku vdekjes vështirë mund t’i shpëtoje, duke i ditur të bëmat e pjestarëve të okupatorit gjatë periudhave të ndryshme se çfarë kanë bërë me popullatën e pafajshme e të pambrojtur, paraqet lutjen e njerëzve që në format e ndryshme, duke e ditur se s’kanë mundësi të zgjedhin mes jetës dhe vdekjes, atyre u kish mbetur të zgjedhin vetëm formën e vdekjes. Pra vdekja ish e përcaktuar. Prandaj luteshin që:
“N’ardht e zeza dekë –
Ardht e lehtë,
Dekë prej plumbi!”
Në këto rrethana të jashtëzakonshme, në një mënyrë njerëzit ishin pajtuar me vdekjen, por vdekjen donin ta kishin më me pak dhëmbje. Por kujt t’i luteshin për këtë?
Në poezinë “Për nji vorr”, paraqiten skenat tragjike të të vrarëve të cilëve u janë prerë gjymtyrët, pjesët e tjera të trupit, dhe hamendësimin e njerëzve, se kjo gjymtyrë e kujt mujt të jetë, e Filanit apo e Fistekut pa e ditur se ku mbetën pjesët tjera të trupit.
Në poezinë “Era e njeriut”, paraqitet kundërmimi i të vrarëve, të djegurve duke thënë:
“Se kishim pas ditë
Qysh kundërmon kurmi
Çfarë erë mun’ i vjen t’vrarit,
T’masakruemit
T’premunit n’thela
T’përrzhitunit n’prush
T’pjekunit n’hell!”
Po kështu pothuaj në secilën poezi, paraqiten episode të ndryshme të vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm gjatë kohës së luftës, po në këtë rast nuk mund të mos e potencojmë p.sh poezinë “A mun’ msohet njeriu me lundrue n’gjak!” ku thuhet:
“A mun’ msohet njeriu me lundrue n’gjak,
E mos me u mbytë n’te?
Me i skejue kufomat e t’dashtunve,
E me ja ba nji vend vetes –
Sa me u ngie frymë…
A mun’ msohet njeriu me lundrue n’gjak,
Pa iu lidhë fati n’nyje,
Pa ja mbërthye mendjen frika
E me ja shprishë t’tan’ ekulibrat!…”
Në këtë poezi, mjafton t’i lexosh vetëm këta rreshta dhe të mbetesh pa frymë. Dhe asesi nuk mund të mos e pyesësh veten: a mund t’i mbijetoj njeriu situatave të tilla? Si mund të shpëtoj njeriu së paku gjallë? Pastaj a mund të mbetet vërtet njeriu në gjendje të shëndoshë emocionale?
Sado të rënda që duken këto përshkrime e situata, të frymëzuara nga ngjarje reale, krijuesit ia vlenë të merren me përshkrimin e tyre, së pari, për të mos i mbetur harresës. Pastaj për ta barazpeshuar ndërgjegjen e vet krijuesi i çdo kohe, duke e vënë veten në situata në të cilat janë gjendur njerëzit, gjatë periudhës së luftës, dhe gjithësesi arsyen shtesë, për të shkruar për tema të tilla krijuesit tjerë, e nxjerrim nga mesazhi i poezisë së poetes Donika Dabishevci me titull “Nanat e dëshmorëve” ku poetja shkruan:
“T’msueme me shku te nji gur vorri
E mos me la me lot – me i përbi
E mos me thanë mjera unë,
Po lum nana për ty!
Tana dhimtat i ngufasin
N’ofshama t’pazashme
N’ofshama ku mbarset liria…
Porosi më të madhe se sa që mund të japin nënat e Dëshmorëve përmes këtyre vargjeve, nuk di se mund të ketë. Ky është mesazhi që duhet t’i ndjekë kudo të gjithë: jo vetëm krijuesit, por edhe institucionet, edhe njeriun e thjeshtë, sepse ata që e harrojnë historinë, janë të destinuar që ta përsërisin atë. Që të mos ndodh kjo, është e udhës që secili ta kryej rolin e vet praktik në shoqëri. Ja kështu, si Donika Dabishevci me këtë libër të saj, i cili meriton të lexohet nga të gjithë lexuesit. Ky libër është një refresh për t’i bërë mosharresës, një trokitje në ndërgjegjen njerëzore, si dhe një porosi në vetëdijen kombëtare.
Sado që në ja dy vargje, përmend parasyeshëm termin ‘paraushtarak’, apo ‘paramilitar’ (sepse çdo gjë ka qenë militare, e kontrolluar nga shteti okupues), vlera artistike e librit është e padiskutueshme, për të cilën gjë e përgëzoj autoren, për këtë libër të arrirë.