Ambasadori amerikan në Kosovës, Jeff Hovenier pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, në adresimin e tij për media ka thënë se me të kanë biseduar për çështjen e dialogut dhe se ka pasur disa shenja pozitive, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ambasadori Hovenier tha se ShBA e respekton vendimin e BQK-së, por se janë të shqetësuar me mënyrën e zbatimit të rregullores, e cila siç tha ai mund të ndikojë tek komuniteti serb, derisa theksoi se është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit.
Tutje ai tha se bisedimet lidhur me këtë çështje po vazhdojnë.
“Sapo u takova me zv. Bislimin dhe diskutuam për dialogun. E keni parë edhe fletushkën që përfaqësuesi special e lexoi dje. Ka pasur disa shenja pozitive se si mund të vazhdojmë që të kemi drejtim pozitiv. E respektojmë vendimin e BQK-së e cila ka për detyrë që të qeverisë me çështjet monetare, kjo nuk ka të bëjë me dinarin. Kjo është mënyra në të cilën zbatohet rregullorja e BQK-së. Jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cënueshme, në komunitetin serb dhe mendojmë se është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit, bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë. Ka mundësi që të dyja palët të ofrojnë rrugëzgjidhje, tha Hovenier.
Ambasadori Hovenier, i pyetur nëse është njoftuar me ndonjë propozim gjatë takimit që pati me Bislimin, tha se asnjë i tillë specifik nuk i është prezantuar.
“Ai nuk ka propozuar asnjë propozim specifik. Qeveria është duke punuar në këtë drejtim. Dëshirojmë të jemi konstruktiv në këtë projekt, por mendoj që ështe çështje e rëndësishme për t’u trajtuar”, tha Hovenier.
Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve.
Të dy palët në takimin në nivel kryenegociatorësh që kishin dje, janë zotuar që, deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kështu bëri të ditur në fund të takimit kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili e gjeti veten në Bruksel një muaj pasi kishte deklaruar se takimet e tilla për çështjen e dinarit nuk janë për kryenegociatorin, dhe se ai do të udhëtonte drejt Brukselit vetëm për të diskutuar për Marrëveshjen Bazike.
“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi.