Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, ka thënë se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka, ka “cektësi njohurive për konceptin e ekonomisë së tregut të lirë”.
Caka iu kishte përgjigjur akuzave të Qeverisë se “Gjykata Kushtetuese është dorë e zgjatur e opozitës”, ajo kishte thënë se “gjitha partitë opozitare ndër vite e kanë përdorur të drejtën kushtetuese”.
Referuar kësaj interviste të saj në KTV, Murati ka shkruar në Facebook se Cakaj përmendi togfjalëshin “ekonomia e lirë e tregut”, duke thënë se është gabim të cilët e bëjnë edhe ekonomistët e LDK-së, sipas Muratit.
Në këtë mënyrë Murati mbrojti Ligjin për caktimin e Çmimeve Tavan, të cilën LDK-ja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Muratit po rezulton se as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk po e kupton këtë.
Madje ai tha se “pasojat e bllokimit të këtij ligji po i vuajnë qytetarët”.
“Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka, gjatë një interviste sonte, duke folur për natyrën e lëndëve që kanë shqyrtuar ata si gjykatës, e përmendi edhe togfjalëshin “ekonomia e lirë e tregut”, më shumë se njëherë. Dua të besoj që fjalën e ka pasur për konceptin e “ekonomisë së tregut të lirë” apo “free market economy” në anglisht. Kur e mendon që ka edhe ekonomistë në LDK që e bëjnë gabimin e njëjtë, nuk mund ta gjykosh edhe aq rëndë një shkarje të tillë të zonjës Caka e cila me profesion është juriste. Mirëpo për funksionin që ushtron, një cektësi e tillë e njohurive për këtë koncept ekonomik, pra “ekonominë e tregut të lirë”, rrezikon të prodhojë vendimmarrje të gabuar që ka pasoja të mëdha për qytetarët”, ka thënë ai.
“Në lidhje me rritjen e çmimeve, të përshkallëzuar pas luftës në Ukrainë, Fondi Monetar Ndërkombëtar në një analizë të bërë kishte ardhur në përfundim se mbi gjysma e inflacionit vinte si rezultat i lakmisë korporative dhe rritjes së marzhave të fitimit, e jo si presion i kostos së lëndëve të para. Kjo konfirmohet edhe në rastin e Kosovës, ku shihet qartësisht rritje mbiproporcionale e profitit të realizuar të korporatave. Për të adresuar këtë anomali të shfaqur në treg, Qeveria dhe Kuvendi kishin miratuar Ligjin për Çmime Tavan, i cili në raste të tilla të çrregullimeve, mundësonte kufizimin e marzhës së fitimit”, ka deklaruar Murati.
“Ligje e mekanizma të ngjashme kanë pothuajse të gjitha shtetet në Bashkimin Evropian (kujtoni vendosjen e çmimit tavan për gazin natyror pas luftës në Ukrainë), e madje edhe një ekonomi si SHBA-ja që është në skaj të spektrit të konceptit të ekonomisë së tregut të lirë ka legjislacion që rregullon një gjë të tillë (vendosja e tavanit për çmimin e insulinës nga Administrata Biden). Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që me sa shihet nuk ka as njohuritë bazike mbi koncepte të tilla, kishte vendosur ta rrëzojë Ligjin për Çmime Tavan, në emër të mbrojtjes së “ekonomisë së lirë të tregut”. Pasojat e këtij vendimi, qytetarët e Republikës vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot”, ka thënë ai.