Kurti kujton heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu: Veprimtaria e tyre u bë shembull frymëzues për shokët e tyre
Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar rënien e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu 34 vjet më parë.
Ai tha se ata kishin nisur aktivizmin e tyre në demonstratat e vitit 1981, kurse në demonstratat e vitit 1989, ata tashmë ishin bërë organizatorë demonstratash.
“I njihnin mirë rrugët që kishin ndjekur dhe fatet që kishin patur Fazli Greiqevci dhe Shaban Shala, Metush Krasniqi dhe Adem Demaçi, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, emra që përfaqësonin vetëdijen e rrugës së tyre për liri”.
Kurti tha se veprimtaria e Afrimit dhe Fahriut deri në frymën e tyre të fundit, u bë shembull frymëzues për shokët e tyre dhe ata që më pas iu bashkuan grupeve ilegale në lëvizjen për çlirimin e Kosovës.
“Andaj deri në ditët e fundit para rënies, më 31 tetor dhe 1 nëntor 1989, Afrimi dhe Fahriu kishin organizuar demonstrata dhe u kishin prirë atyre bashkë me shokët e tjerë në Prishtinë. Kishin shpërndarë trakte dhe kishin planifikuar hapat e ardhshëm të lëvizjes ilegale. Po e zgjeronin grupin, po e forconin organizimin dhe po e rrisnin aktivizmin. Niveli i tyre i gatishmërisë, është qartazi i lexueshëm në aktin e tyre të fundit, kur edhe të armatosur luftuan për atë drejt së cilës ishin nisur që në rini, për lirinë e Kosovës”.
Postimi i plotë:
Për ata dy që ishin një: për Afrimin dhe Fahriun!
Nga një nëntor në tjetrin, vit pas viti, sot janë bërë 34 vite nga dita kur dy vdekje të përveçme në një rënie të përbashkët, i përjetësuan dy jetë njerëzore në një nyje të mirëlidhur në rrugën që na nxori deri te liria e Kosovës. Në Prishtinë, mes banesave të lagjes Bregu i Diellit, për shqiptarët e Kosovës u shenjua një vend i veçantë në rrugën e tyre për liri. Shenja e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu! Ajo shenjë që e nderojmë edhe sot, siç e nderojmë çdo 2 nëntor në Breg të Diellit dhe ajo shenjë që e nderojmë çdo ditë në histori, kur kujtojmë dhe kultivojmë frymën që i bashkoi dhe i drejtoi Afrimin dhe Fahriun.
Në mesditën e 2 nëntorit të vitit 1989, policia serbe i rrethoi këta dy veprimtarë politikë shqiptarë, në një bazë ilegale të tyren në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, në bllokun numër 3, në një bodrum në hyrjen numër 3. Të paepur në përpjekjen e përbashkët dhe të bindur në rezistencën e tyre për lirinë e Kosovës, këta dy shokë luftuan për orë të tëra atë ditë, derisa u vranë dikur natën vonë.
Të dy ata kishin lindur në trevat e Llapit në vitet ’60, në të ’60-at e demonstratave: Fahriu më 1963 në Llaushë, kurse Afrimi më 1965 në Llugë. E kishin nisur aktivizmin e tyre në demonstratat e vitit 1981, kurse në demonstratat e vitit 1989, ata tashmë ishin bërë organizatorë demonstratash. I njihnin mirë rrugët që kishin ndjekur dhe fatet që kishin patur Fazli Greiqevci dhe Shaban Shala, Metush Krasniqi dhe Adem Demaçi, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, emra që përfaqësonin vetëdijen e rrugës së tyre për liri.
Andaj deri në ditët e fundit para rënies, më 31 tetor dhe 1 nëntor 1989, Afrimi dhe Fahriu kishin organizuar demonstrata dhe u kishin prirë atyre bashkë me shokët e tjerë në Prishtinë. Kishin shpërndarë trakte dhe kishin planifikuar hapat e ardhshëm të lëvizjes ilegale. Po e zgjeronin grupin, po e forconin organizimin dhe po e rrisnin aktivizmin. Niveli i tyre i gatishmërisë, është qartazi i lexueshëm në aktin e tyre të fundit, kur edhe të armatosur luftuan për atë drejt së cilës ishin nisur që në rini, për lirinë e Kosovës.
Rasti i Afrimit dhe Fahriut ishte nga shenjat e para në dekadën e mbramë (1989 – 1999), në historinë e përpjekjes së shqiptarëve të Kosovës për t’u çliruar nga pushteti okupues i Serbisë. Veprimtaria e Afrimit dhe Fahriut deri në frymën e tyre të fundit, u bë shembull frymëzues për shokët e tyre dhe ata që më pas iu bashkuan grupeve ilegale në lëvizjen për çlirimin e Kosovës.
Lavdi jetës me përkushtim atdhetarie, veprimtarisë me shumë punë e aksione dhe rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut!