Bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Ragip Jashari ka dalur me një reagim sqarues lidhur me pranimin e tij në Shtëpinë e Pleqve, shkruan Insajderi.
Ragipi ka shkruar se ky sqarim vjen pas reagimeve të shumta ndaj tij lidhur me postimin e Halil Kastratit ku është njoftuar se tanimë është banor i shtëpisë së pleqve.
“Reagimet e shumta që ka ngjallur postimi: “Halil a pijmë nga një kafe bashkë”, në rrjetin e tij social në fejsbuk nga drejtori i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”, z. Halil Kastrati, më kanë shtyrë mua, Ragip Jasharin, nga Prekazi, që të bëj një sqarim për opinionin”, ka shkruar Ragip Jashari
Tutje ai ka thënë se ka qenë i detyruar që së bashku me gruan e tij të vendosen në Shtëpinë e Pleqve për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore që kanë dhe jo për shkak të moskujdesit nga institucionet përkatëse në Skënderaj, Mitrovicë dhe Prishtinë.
“Për të sqaruar opinionin dhe për të mos lejuar keqpërdorimin e emrit tim, ju informoj se unë Ragip Jashari, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, kam qenë i detyruar që së bashku me gruan të vendosemi në Shtëpinë e Pleqve, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore që kemi dhe jo për shkak të moskujdesit nga institucionet përkatëse në Skënderaj, Mitrovicë dhe Prishtinë”, shtoi ai.