Me kritere dyfish më të ulëta seç i parasheh Ligji për Inspektoratin e Arsimit, Ministria e Punëve të Brendshme ka zhvilluar konkursin për rekrutimin e 21 inspektorëve të Arsimit. Kjo ministri e ka ulur kriterin kualifikues nga shkollimi në nivel master, në atë baçelor. E kriterin e përvojës së punës e ka ulur nga pesë, sa parashihet me Ligj, në së paku dy vjet.
Ministria e Punëve të Brendshme ka ulur kriteret kualifikuese për inspektorë të Arsimit, në konkursin e shpallur në maj të këtij viti.
Kjo ministri, e cila është përgjegjëse për rekrutimin e inspektorëve të Arsimit, si kritere kualifikuese për aplikuesit në konkurs ka vendosur shkollimin në nivel baçelor dhe përvojën e punës në mësimdhënie prej së paku 2 vjetësh.
“Kërkesat e përgjithshme formale: Diplomë/a e arsimit të lartë më së paku 3 vite të studimeve. Përvoja e punës e kërkuar: Së paku 2 (dy) vite përvojë pune në fushën për të cilën zhvillohet”, thuhet në dokument.
Nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, në këtë ministri thanë se konkursi është bazuar në Rregulloren për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil
“Kriteret e vendosura janë të parashikuara në Rregulloren Nr.10/2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil, respektivisht kërkesat e përgjithshme formale për kategorinë profesionale të nëpunësve civilë. Rregullorja shprehimisht përcakton se një kualifikim/diplomë me 3 vjet të studimit dhe me përvojë së paku 2 vjet, është e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e përgjithshme formale për punësim në një pozitë të kategorisë profesionale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme.
Por, në Ligjin për Inspektoratin e Arsimit specifikohet që një inspektor të ketë të kryer së paku nivelin master dhe të ketë minimum 5 vjet përvojë punë në mësimdhënie.
“Inspektorët e arsimit zgjedhën në pajtim me procedurat e Ligjit për Shërbimit Civil. Përveç kushteve të parapara me Ligjin për Shërbimin Civil, kandidatët duhet t’i plotësojnë edhe këto kritere:
2.1. të kenë së paku titull master (300 ECTS);
2.2. të kenë të paktën pesë (5) vjet përvojë pune në arsim.
2.3. të mos ketë ushtruar funksione politike në tre (3) vitet e fundit”, thuhet në Ligjin për Inspektoratin e Arsimit.
Lista e kandidatëve të suksesshëm është publikuar javën e kaluar. E në Ministri nuk kanë dhënë informacione se sa nga kandidatët e suksesshëm nuk e kanë kualifikimin që parashihet me ligj.
Xhavit Rexhaj, ish-zëvendësministër i Arsimit, i kualifikoi si të ulëta këto kritere për rekrutimin e inspektorëve.
“Detyrat e inspektoratit janë të përfshira në ligjin për inspektoratin, dihet shkathtësitë që kërkohen ajo që mua më len përshtypje është se më e rëndësishme përvoja e tyre, kualifikimet e tyre mund të mos jenë të rëndësishme por përvoja është e rëndësishme sepse tri vjet pune nuk mund të mjaftojnë si përvojë pune në kryerjen e punës së inspektorit”, ka thënë Rexhaj.
Edhe nga stafi i institucioneve arsimore thonë se inspektorët që do t’i vlerësojnë mësimdhënësit e drejtorët e shkollave duhet që të kenë kualifikim më të lartë.
“Fillimisht kemi nevojë për një kontroll të përgjithshme, çdo kontroll, çdo mbikëqyrje ka dhe një kujdes më të madhe në punë… Në këto situata është pak diskutabile sepse përvoja e shkurtër e një inspektori në krahasim me një mësimdhënës që ka një përvojë më të gjatë lënë për të dëshiruar në vlerësim”, ka thënë Ismet Gashi, drejtor në SHFMU “Mihail Grameno”.
Konkursi për rekrutimin e 21 inspektorëve ka përfunduar në mesin e muajit shtator, ndërsa është në fazën e shqyrtimit të ankesave.
Ky konkurs është shpallur për herë të dytë, pasi që ai paraprak pati dështuar si rrjedhojë e dyshimeve të ngritura për manipulim të procesit.
Në gjithë vendit aktualisht janë rreth 29 inspektorë, për mbi 1 mijë institucione të arsimit parauniversitar dhe për mbi 22 mijë mësimdhënës