Ka përfunduar xhiro e tretë në Bon Voyage Superligën e Kosovës U21 në futboll, ku nuk po mungojnë ndeshjet e bukura dhe me gola.
Në pesë ndeshje të zhvilluara janë shënuar 25 gola duke pasur skuadrat efikasitet të lartë.
Fitorja më e thellë i ka takuar Prishtinës që ka qenë e pamëshirshme ndaj Malishevës duke e mposhtur me rezultat 6-1.
Fitore të thellë ka marrë edhe Liria që ka fituar në udhëtim te Dukagjini me rezultat 5-1.
Tre pikë në udhëtim i morën edhe Gjilani dhe Llapi. Gjilanasit mposhtën Feronikelin ’74 me rezultat 4-1, derisa njësoj triumfoi edhe Llapi te Fushë Kosova.
Ndërkohë derbi mes Dritës dhe Ballkanit ka përfunduar baras 1-1, me bardhekaltërtit që ishin në avantazh deri në minutën e 93-të kur barazuan mysafirët.
Prishtina kryeson në këtë ligë me nëntë pikë pas tre ndeshjeve, derisa Drita ndodhet e dyta me shtatë pikë.
Pa pikë në fund të tabelës janë Dukagjini dhe Feronikeli ’74.