Policia e Kosovës ka zhvilluar sot tri aksione në lokacione të ndryshme, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe arrestimin e Ridvan Muharremit, i cili është pronar i restorantit “Bukë e Zemër”.
Të tre këta janë të dyshuar për keqpërdorim të rezervave shtetërore të Kosovës
Këto arrestime erdhën pas publikimit të disa incizimeve nga Gazeta Nacionale, ku një zyrtar i MINT, që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari, denoncon keqpërdorimet e dyshuara me grurin e rezervave shtetërore.
Ky medium ka publikuar disa incizime në të cilat pretendohet se ka pasur keqpërdorime edhe me vaj.
Ridvan Muharremi, pronar i restorantit “Bukë e Zemër”, përmendet si i dyshuar në këto incizime që Gazeta Nacionale i cilëson si afera, transmeton KlanKosova
Ndërsa dy zyrtarët e MINT-it që u arrestuan sot nga policia janë drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica dhe drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara.