Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas situatës së rënduar në veri, ku përpos sulmeve ndaj zyrtarëve policorë janë sulmuar edhe përfaqësues të mediave vendore.
Ata bëjnë thirrje që organet e rendit t’u ofrojnë siguri gazetarëve.
“AGK-ja, u bën thirrje organeve të rendit, Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurtë dhe të papenguar të ekipeve mediale. Në këtë mes, portali Koha raporton se një veturë e ekipit është sulmuar me gurë nga persona të maskuar, por që fatmirësisht askush nuk është i lënduar”, thuhet në reagim.
“AGK-ja, gjithashtu i fton gazetarët dhe redaksitë për kujdes të shtuar në këtë situatë të vështirë”, thuhet tutje.
Sipas raportimeve të fundit, ekipi i KOHËS është sulmuar teksa po përcjellte zhvillimet në komunën e Leposaviqit.
Nga turma prej 30-40 protestuesish, disa prej të cilëve më maska në fytyrë, e kanë sulmuar veturën e tyre në lëvizje duke hedhur gurë dhe duke ia thyer xhamat, me ç‘rast shoferi ia ka dalë të mbrohet e ta kalojë këtë situatë pa lëndime.