Nuk ka fitues në “Air Albania”, pasi derbi i zjarrtë i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit u mbyll 1-1.
Në një stadium të mbushur me tifozë dhe me një atmosferë fantastike, lojtarëve nuk u mbetej gjë tjetër veçse të shtonin hijeshinë e kësaj sfide me lojën e tyre në fushë.
Pjesa e parë ishte më e qetë dhe e kontrolluar nga të dy ekipet, ndërsa e dyta nisi me një tjetër ritëm.
Victor Da Silva e dëshmon formën e tij mjaft të mirë edhe në derbi. Seria e tij e golave vazhdoi edhe ndaj Tiranës, kur në minutën e 53-të kombinohet bukur me Cristian Mba shënoi në portën e Visar Bekajt për 1-0.
Por kur dukej se Partizani do të dilte me tre pikët nga stadiumi, del në skenë Ardit Deliu.
Mesfushori i Tiranës godet nga një distancë prej 30 metrash, duke lënë të shtangur portierin Rexhepi për të shënuar për 1-1.
Një gol spektakolar që Tiranën e mban në krye të tabelës së renditjes.
Derbi i kryeqytetit lë të ndezur garën për titullin kampion, pasi diferenca tashmë mbetet dy pikë mes Tiranës dhe Partizanit, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund.