Sonte në Liverpool Arena në Mbretërinë e Bashkuar nis Eusovisioni. Në natën e parë gjysmëfinale garojnë 15 shtete me këngët e tyre, nga ku vetëm 10 do të kualifikohen për natën finale.
Nata e dytë e gjysmëfinales mbahet të enjten, ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria, e që këtë vit prezantohet nga Albina dhe Familja Kelmendi.
Pak orë para fillimit të gjysmëfinales së parë, në mediat e Shqipërisë u raportua se Albina dhe Familja Kelmendi nuk do të jenë prezentë, pasi nuk janë pajisur me pasaporta shqiptare.
Këngëtarja nga Kosova, Albina Kelmendi, tha se ajo dhe familja e saj tash e 10 ditë po qëndrojnë në Liverpool dhe nuk kanë humbur asnjë provë.
“Ne jemi në Liverpool qe 10 ditë dhe ne s’kemi humbur asnjë provë. Thjesht janë provat e fundit të gjysmëfinales së parë që do të mbahet sonte. Ndërsa ne I kemi provat nesër gjithë ditën, një ditë para prezantimit tonë që është me datën 11”, deklaroi Albina.
Albina tha se ajo dhe familja e saj kanë shkuar në Liverpool me pasaporta të Kosovës.
“Ne nuk i kemi pasur provat e fundit në gjysmëfinalen e parë, sepse jemi në gjysmëfinalen e dytë, ne kemi ardhë me pasaporta kosovare”, tha Albina për Radio Club FM.
Albina dhe Familja Kelmendi do ta përfaqësojnë Shipërinë në Eurovision me këngën “Duje”, të enjten më 11 maj.
Shqipëria do të jetë në gjysmëfinale me Armeninë, Qipron, Danimarkën, Estoninë, Greqinë, Islandën, Rumaninë, Australinë, Austrinë, Gjeorgjinë, Lituaninë, Poloninë, San Marinon dhe Slloveninë.
Nata finale e Eurovision 2023 mbahet të shtunën, më 13 maj.