Shqiptarja që jeton në Turqi, Linda Kalemi, tregoi në një intervistë për “Good morning Albanians” në Euronews Albania se nga frika e tërmetit vetëm WC-në ka në shtëpi, ndërsa gjithçka tjetër e ka transferuar në makinë.
“Unë e kam makinën depo. Pas tërmetit të dytë unë fle vetëm 3 orë, 3-4 orë. Më parë flija në 1, tani fle në 2, në 3. Tani sa herë fle mendoj, po sikur të bjerë prapë tërmet, djemtë a po flenë, a është dera e tyre hapur? Se ne jemi me dy kate dhe unë bëj llogari si do të zbres shkallët, si do t’i zgjoj,” – u shpreh Kalemi.
Ajo pranoi se vuan nga sizmiofobia, ndërsa theksoi se edhe mjekët tregojnë se sizmiofobia është bërë simptoma më e zakonshme te turqit.
Në media herë pas here janë pasqyruar përjetimet e qytetarëve të zonave të prekura nga tërmeti në Turqi. Shumë prej tyre kanë frikë në flenë gjumë, të tjerë kanë frikë të qëndrojnë brenda shtëpive. Të mbijetuarit po vuajnë në heshtje fatkeqësinë që vrau më shumë se 50 mijë njerëz më shumë se dy muaj më parë.