Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate Natyra Kuçi përmes një postimi në facebook ka thënë se Vetëvendosje ka kapur Agjencinë për Informim dhe Privatësi, shkruan GazetaDemos.
Ajo në postim ka renditur kronologjikisht, sipas saj, kapjen e IAP-së nga VV-ja.
“Në gusht të vitit 2018 Artan Dërmaku anëtarësohet në VV. Në prill 2020 bëhet anëtar bordi në “Infrakos”. Në qershor 2021 Krenare Dërmaku, gruaja e Artanit, zgjidhet komisionere në Agjencionin për Privatësi dhe Informim”, ka shkruar Kuçi.
PSD-ja është dënuar nga kjo agjenci për shkelje të të dhënave, me 20 mijë euro për aksionin me 205 mijë nënshkrime kundër Asociacionit.
Kjo është konsideruar e jashtëligjshme nga kjo parti.
“Kjo është kronologjia deri te kapja e këtij institucioni. Nga kjo kapje tash opozita dënohet jashtëligjshëm. Dënimet e shantazhet të API-së ndaj opozitës janë politike”, ka shkruar Kuçi.