Për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike, banorët e fshatit Gërçec të Maqedonisë së veriut protestuan para objektit të EVN-së. Ata thanë se e kanë shumë të vështirë që të bëjnë përgatitjet e iftareve dhe syfyreve gjatë muajit të Ramazanit dhe kërkuan që sa më shpejt të zgjidhet ky problem.
Ata akuzojnë EVN-në se nuk po e mban premtimin që nëse do të nxjerrin në rrugë orët e rrymës, nuk do të kenë më probleme me rrymën.
Ndërkaq, nga EVN thonë se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike ka ndodhur si pasojë e një defekti të shkaktuar nga shfrytëzimi i vazhdueshëm ilegal i energjisë elektrike nga ana e banorëve. Nga atje nënvizojnë se ky defekt nga i cili i gjithë fshati mbeti pa rrymë, ka ndodhur prej dje në orën 8 të mëngjesit, ndërsa nuk po arrijnë të sanojnë defektet, për shkak se punëtorëve në terren u pengohet qasja tek pajisjet e rrymës.
Përveç Gërçecit, probleme me mungesën e energjisë elektrike kanë edhe disa vendbanime të tjera./ Alsat.mk