Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që në seancën e ardhshme plenare të debatohet lidhur me “Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të KRM Pastrimi Sh.A, për vitin 2021”.
Bordi i Asociacionit ka vlerësuar se Kuvendi në këtë mënyrë po shpreh tendenca për ndërhyrje në kompetencat e Komunave të Kosovës.
“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës vlerëson se KRM “Pastrimi” Sh.A. është Ndërmarrje Publike Lokale dhe shqyrtimi i Raporteve të auditimit të saj bëhet në organet dhe strukturat komunale e jo në Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, Ndërmarrjet Publike Lokale i përgjigjen vetëm Komisionit Komunal të Aksionarëve, të cilët i përgjigjen pastaj institucioneve Komunale. Po ashtu, në bazë të Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike, KRM “Pastrimi” është në pronësi të komunave sipas përqindjes së aksioneve si është përcaktuar me ligj, përkatësisht në Statutin e kompanisë”, ka vlerësuar bordi.
Sipas tyre, kjo është ndërhyrje direkte e institucioneve qendrore në kompetencat dhe detyrat e nivelit lokal.
“Bordi i AKK-së vlerëson se ky veprim është ndërhyrje direkte e institucioneve qendrore në kompetencat dhe detyrat e nivelit lokal. Në këtë mënyrë, Kuvendi i Kosovës me apo pa vetëdije, me theks të veçantë, po shkel mbi Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Andaj është momenti i fundit që institucionet qendrore, në këtë rast Kuvendi i Kosovës të trajtoj tema që nuk kanë të bëjnë me nivelin qendror por që janë çështje të nivelit lokal, Komunave me këtë rast”, është thënë në njoftim.






