Mbrëmë pas mesnate edhe tri vetura të tjera të qytetarëve serbë në veri të vendit kanë qenë cak i keqbërësve. Persona ende të paidentifikuar, dyshohet se u kanë vënë flakën automjeteve të cilat ishin të parkuara në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri, raporton GazetaDemos.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se veturat të cilat iu përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb, ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).
“Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në komunikatë.
Me urdhër te prokurorit, rasti është cilësuar ‘Zjarrvënie’, ndërsa veprimet tjera ligjore varësisht nga zhvillimi i hetimeve.